Kryeministri Edi Rama vijon replikat me kreun e koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në rrjete sociale. Në një tjetër video në Facebook, kreu i qeverisë e ironizon Bashën, duke marrë shkas nga videoja ku Basha e krahason me një personazh të filmave shqiptarë, të quajtur Fotaq. Rama ka zgjedhur t’i kundërpërgjigjet duke e krahasuar me personazhin e famshëm të filmit ‘Zonja nga qyteti’, Koçin.

“E Lulo, këtë Fotaqin s’e mbaj mend, se pushtat janë fusha jote, me thënë të drejtën. Pavarësisht se ti bën sikur s’kupton, kur të pyesin për atë Gaz Ballokumen. Po unë mbaj mend Koçin, atë Koçin e teto Ollgës, Lul, artistin pra, atë që e zgjodhën për dhëndër, po nuk ngjiti. Ai që ngeli në qerre, tu ardh vërdallë nëpër fshat, mban mend apo jo?”, thotë Rama.

Nga ana tjetër, Rama i është përgjigjur Bashës në lidhje me përballjet që ka pasur mes tij dhe kreut të Koalicionit, duke vijuar ironinë.

“Po herën e parë ti e pe vetë, more Lul, kur ma këndove himnin aty poshtë, sa t’u bë gulçitë telef dhe në fund dole ‘ruaj e qeth’, por në fakt nuk të shkon, se ti ‘rru e qeth’ je kur të ikën berberi me pushime.”, shton ai.

Pas kësaj, Rama i është përgjigjur pjesës kur Basha i sjell në vëmendje premtimin e fushatës në mandatin e tretë në lidhje me hyrjen e Shqipërisë në BE.

“Sinqerisht nuk ke mëshirë, je i pamëshirshëm. Nuk ma rri dot pa ma kujtuar që i lashë socialistët pa mandat. Apo nuk të rrihet pasi u masakrove dy herë, pastaj iu ktheve bufit. E bëre telef. E mor euroatlantik, sa katil që je”, – përfundoi Rama.

Në fund, Rama ka zgjedhur ta mbyllë me Noizyn videon, ndryshe nga ditët e mëparshme kur ka vendosur reperin e njohur Unikkatil.