Kryesocialisti Edi Rama po zhvillon këtë të enjte një takim masiv me gratë dhe vajzat në Dibër, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit. Takimi nisi me një atmosferë të hareshme, me këngë dhe valle, duke “elektrizuar” të gjithë të pranishmit.
Fjalën hapëse e pati Blendi Klosi, drejtues politik i PS në Qarkun Dibër, duke thënë se Rama gëzon besim të palëkundur nga dibranët, për shkak të premtimeve të mbajtura sipas tij.
“Të janë mirënjohës se e mban fjalën dhe për dibrat je pushtetari më fjalëmbajtur, atë që thua që e bën. Ne kemi besim se me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste do të hyjmë në Evropë, se Edi Rama e ka thënë dhe dibrat e besojnë se ajo do të ndodhë”,-tha Klosi.
Rama kujtoi takimin e parë më strukturat e Partisë Socialiste në Dibër dhe bindjen që i lindi në ato momente se e vetmja mënyrë për të fuqizuar partinë në atë qark, është duke punuar për aktivizimin e grave në politikë.
“Sapo hyra, më është kujtuar takimi i parë në PS e Dibrës. Takimi i parë në Peshkopi, gjithë burra, mbyllur si në strofull. Njëri hidh, tjetri prit. Nuk merrja vesh çfarë thonin, as me kë e kishin, as ku donin me dalë. Po kuptoja që më budallai aty isha unë”,-tha Rama.
“Nëse nuk i nxjerr gratë nga shtëpitë që t’u japësh komandën, dhe nëse këtu nuk e marrin gratë dibrane komandën, nuk fiton kurrë. Dhe sot, faktikisht, kjo pamje që ishte e paimagjinueshme 10 vjet përpara, është pamja e fitores tonë. Dhe unë, deri pa e parë këtë pamje, nuk e besoja këtë”,- tha Rama duke iu referuar një çarçafi në sallë me mbishkrimin “4 me 1 s’ka bo vaki, nga Burreli në Peshkopi”.
“Tani unë këtë besoj që edhe mund të realizohet. Por ajo që është e rëndësishme: 4 apo 3, me datë 11 maj, falë jush, asajve dhe grave të Dibrës në radhë të parë, Dibra do të votojë aty ku duhet dhe më 12 maj do të gdhihet rozë. Sepse Dibra është grua, Shqipëria është grua, edhe Europa është grua. Dhe mua personalisht nuk ka asgjë që më bën më shumë krenar si Kryetar i PS-së, se sa fakti që kjo forcë mbështetjen më të madhe e ka gratë dhe vajzat në të gjithë Shqipërinë”,-tha më tej ai.
Kryesocialisti solli statistikisht vlerësimin e Partisë Socialisti për gratë dhe vajzat, duke rritur ndjeshëm prezencën e tyre në organe kyçe të shtetit. Gjithashtu, ai theksoi edhe transformimin e Dibrës falë qeverisjes së PS.
“Kur ne erdhëm në detyrë, vajzat në uniformën e Policisë së Shtetit ishin më pak se 5%, ishin të lëna nëpër cepa. Sot, ne faktikisht e kemi trefishuar numrin e grave dhe vajzave në Policinë e Shtetit, kanë dalë dhe në patrullën e përgjithshme. Po kështu, në forcat e armatosura ishin më pak se 10%, sot janë dyfishi dhe 22% e tyre janë me gradë oficeri”,-tha Rama.
Dua t’ju them: shikojeni sot Dibrën. Dibra sot ka një frymë, një ajër tjetër, e ndjen sapo hyn, sepse Dibra sot është çliruar. I ka ikur laku nga fyti që e mbyste dhe e mbante si të zgjedhur nga trupi i vendit. Dibra sot, faktikisht, është bërë jastëku i gjelbër i kryeqytetit. Sot, për të shkuar nga Tirana në Durrës dhe për të ardhur nga Tirana në Dibrë, është pak a shumë e njëjta kohë. Nga ana tjetër, unë e di shumë mirë, dhe këtë e di shumë mirë dhe këtë e kam me vajzat dhe gratë e Peshkopisë: detyra ime mbaron kur të hapet rruga Maqellarë–Peshkopi”,-tha Rama.
Në fund të takimit, kryesocialisti qartësoi objektivin e Partisë Socialiste për Qarkun Dibër në 11 maj: 4 me 1.