Sali Berisha vijon përpjekjet për të përmirësuar imazhin politik dhe për të siguruar mbështetje ndërkombëtare. Këtë e tregoi dhe zhvillimi i ditëve të fundit lidhur me një kontratë lobimi me kompaninë amerikane Continental Strategy.

Kontrata e firmosur në 4 Prill, e cila është siguruar nga Lexo.al, është një marrëveshje me vlerë 6 mln dollarë për një periudhë dy vjeçare.

Ky angazhim i ri në lobim vjen pas një historie të gjatë të aktiviteteve lobuese të PD-së, të cilat gjithashtu kanë përfshirë kompani të tjera si Sonoran Policy Group, ku ka ngjallur debate të shumta lidhur me transparencën, financimin dhe qëllimet e kësaj veprimtarie.

Nga një kontratë për heqjen e “Non grata-s” te një faturë marramendëse 6 mln dollarëshe, PD hyn sërish në rrethin vicioz të lobimit amerikan.

Kush fshihet pas kësaj lëvizjeje të re, çfarë kërkon Berisha?

Në një përpjekje të re për të riparuar lidhjet me Uashingtonin dhe, ndoshta më shumë, për të pastruar figurën e Sali Berishës pas shpalljes “Non grata” nga DASH, Partia Demokratike e drejtuar nga Berisha ka firmosur një kontratë lobimi me kompaninë amerikane Continental Strategy. Një rol kyç në këtë marrëveshje ka luajtur Nuredin Seci, një 72-vjeçar nga Shkodra, i cili ka vepruar si garant për financimin e kontratës.

Vlera?

Plot 6 mln dollarë për një periudhë dyvjeçare një shumë që tejkalon çdo kontratë lobimi të mëparshme nga një forcë politike shqiptare.

Kush është Continental Strategy?

E themeluar nga Carlos Trujillo, një ish-ambasador i administratës Trump dhe i afërt me qarqet konservatore në SHBA, kompania është aktualisht në kulmin e aktivitetit të saj. Vetëm në fillim të vitit 2025 ka raportuar të ardhura prej 3.6 mln dollarësh, krahasuar me më pak se 400 mijë në të njëjtën periudhë një vit P parë. Në stafin e saj ndodhet edhe Katie Ëiles, vajza e shefes së fushatës së Trump, Susie Ëiles, aktualisht shefe e stafit në Shtëpinë e Bardhë. Me këtë raport, nuk është çudi që PD e sheh këtë si rrugën më të shkurtër për të lobuar në zemër të administratës amerikane.

Qëllimi i qartë mbetet heqja e “Non grata” për Berishën

Continental Strategy pas nënshkrimit të kontratës ka qenë një kontakt telefonik me Dan Holler, shefin e stafit të senatorit republikan Marco Rubio, një nga figurat më të njohura të politikës së jashtme në Kongresin amerikan.

Po cili ka qenë synimi?

Të ndryshohet qasja për Berishën dhe të shtyhet drejt një rishikimi të vendimit të DASH që e shpalli atë të padëshiruar në SHBA për korrupsion madhor. Një mision që nëse realizohet, do të ishte jo thjesht një fitore personale për Berishën, por edhe një armë për të rikuperuar terrenin politik brenda PD-së.

Berisha po ndjek rrugën e Bashës me më shumë para dhe më pak transparencë

Ky nuk është rasti i parë që PD i drejtohet lobimit në SHBA. Sjellim në vëmendje që në vitin 2017, Lulzim Basha kishte firmosur një marrëveshje me kompaninë Stonington Strategies përmes Muzin Capitol Partners, me një kosto prej 25 mijë dollarë në muaj.
Një vit më vonë Basha e rriti vlerën e lobimit në 40 mijë dollarë për të bllokuar kandidaturën e një ambasadoreje të SHBA-së në Tiranë, një përpjekje që jo vetëm dështoi, por e futi edhe në hetime nga Prokuroria për “falsifikim dokumentesh” dhe “pastrim parash”.

PD ka vijuar të angazhojë kompani lobimi përfshirë edhe Podesta Group dhe Sonoran Policy Group shpesh me qëllime që tejkalojnë diplomacinë politike dhe prekin interesa të ngushta partiake ose personale, si në rastin e tentativës për të ndikuar kundër një ambasadori të SHBA-së në Tiranë. Në nëntor 2017, kur çadra ishte mbyllur, PD ishte futur në zgjedhje duke dalë humbëse ndërsa Basha ishte rikonfirmuar kryetar, Nick Muzin ishte paraqitur dhe njëherë pranë Departamentit amerikan të drejtësisë, për të sqaruar se për shërbimet ndaj demokratëve kishte marrë edhe një tjetër pagesë, prej 150 mijë dollarësh, nga firma Biniatta Trade.

Në vitin 2018, ai angazhoi kompaninë lobuese amerikane Sonoran Policy Group për të lobuar kundër kandidaturës së Kathleen Ann Kavalec (lajm i zbuluar dhe në mediat shqiptare), e propozuar nga administrata Trump për postin e ambasadores në Tiranë. Për këtë qëllim, Basha shpenzoi 40.000 dollarë, që përbënte rreth 9% të buxhetit të Partisë Demokratike për vitin 2018. Kompania realizoi takime dhe komunikime me senatorë amerikanë, përfshirë Rob Portman, anëtar i Komitetit të Politikës së Jashtme në Senat, i cili shqyrtonte kandidaturën e Kavalec.

Megjithatë, kandidatura e saj nuk kaloi në Kongres dhe nuk u emërua kurrë ambasadore në Shqipëri

Nën hetim mbi cështjen janë marrë ish-deputeti Arben Ristani si dhe Ilir Dervishi financier në PD, për pastrim parash dhe falsifikim formulari, pasi nuk justifikonin dot shumën prej 650 mijë dollarësh, paguar lobistit Nik Muzin. Basha, Ristani dhe Dervishi u akuzuan për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale pastrim parash” dhe “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”, akuza këto me të cilat mund të dënoheshin deri ne 10 vite burg.

Përsëritje e të njëjtit model me kontrata të errëta dhe fonde të paqarta (Berisha përballë ligjit dhe Kushtetutës)

Në kontratën aktuale të firmosur nga Flamur Noka, nuk është dhënë asnjë informacion publik për burimin e financimit të 6 milionë dollarëve.
Kontrata lobuese e Sali Berishës me kompaninë Continental Strategy për të anuluar vendimin “non grata” të SHBA ka ngritur shumë pyetje për ligjshmërinë dhe transparencën e këtij veprimi. Edhe pse kontrata është e ligjshme në SHBA, në Shqipëri ngrihen shqetësime të mëdha për shkak të mungesës së një ligji të qartë për lobimin, i cili rregullon këtë lloj aktiviteti.

Në kushtet e mungesës së një kuadri ligjor të posaçëm për lobimin, kontrata mund të jetë në shkelje të disa ligjeve shqiptare. Neni 5 i Kushtetutës e garanton sundimin e ligjit, duke kërkuar që çdo veprim i politikanëve të jetë në përputhje me ligjin dhe të jetë transparent.
Ligji për Partitë Politike (Nr. 8580/2000), i cili përcakton detyrimin për raportimin e të gjitha burimeve financiare të partive, mund të preket nga ky veprim. Neni 2 i këtij ligji kërkon që çdo mbështetje financiare, përfshirë ndihmën e jashtme, të deklarohet, duke e bërë kontratën lobuese të Berishës një shkelje të mundshme të ligjit nëse nuk raportohet.
Ligji për Kontrollin e Pasurisë dhe Deklarimin e Burimeve të Zyrtarëve (Nr. 9049/2003) kërkon që politikanët të deklarojnë të ardhurat dhe burimet e financimit. Kontrata lobuese e Berishës nuk është raportuar në mënyrë transparente, gjë që mund të konsiderohet shkelje e këtij ligji.

Në këtë kontekst, Ligji për Luftën Kundër Korrupsionit (Nr. 9367/2005) mund të konsiderohet gjithashtu i prekur, pasi ky lloj lobimi mund të përdoret për të ushtruar presion të paligjshëm mbi vendimmarrësit shqiptarë.

Nga ana tjetër kërkesat e OSBE dhe GRECO për përmirësimin e transparencës financiare dhe luftën kundër korruptimit dhe ndikimeve të jashtme bëjnë të domosdoshme një rregullim të menjëhershëm të lobimit, për të siguruar që ky lloj aktiviteti të jetë i njohur dhe i kontrolluar nga autoritetet shqiptare. Pavarësisht që kontrata e Berishës mund të jetë e ligjshme në SHBA, në mungesë të një ligji të tillë në Shqipëri, e dyshimtë në raport me interesat e brendshme politike dhe transparencën financiare.

Sipas ligjit shqiptar, partitë nuk mund të marrin fonde nga jashtë vendit, me përjashtime shumë të kufizuara. Asnjë nga këto përjashtime nuk zbatohet në këtë rast. Edhe mund te thuhet që mungesa e një raportimi në KQZ për këto shpenzime gjatë një kohe parazgjedhore përbën një shkelje tjetër.

SPAKU përballë kontratës

Pas dosjes së vitit 2019 që preku Bashën dhe bashkëpunëtorët e tij, SPAK ka sot në dorë precedentët dhe mekanizmat për të nisur hetim penal.
Nëse konstatohet që paratë janë përdorur nga burime të huaja apo janë fshehur në deklarimet zyrtare, mund të ngrihen akuza për:

Falsifikim dokumentesh
Mashtrim financiar
Pastrimi parash
Financim i paligjshëm politik

E gjithë kjo mund të çojë në ndëshkime dhe në sanksione ndaj vetë partisë, duke përfshirë bllokimin e pjesëmarrjes në zgjedhje apo ndalimin e financimeve publike.
Pritet nëse drejtësia me precedentin e krijuar do të hetojë 6 mln eurot ‘e freskëta’ dhe burimin e tyre.

*Materiali është punuar nga redaksia e Lexo.al