Pas 6 muajsh zvarritje, pritet më në fund të ketë një vendim për kalimin ose jo për gjykim të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij dhe 3 të pandehurve të tjerë për aferën Partizani. Në seancën paraprake në GJKKO ishin të pranishëm avokatët mbrojtës të të gjithë të akuzuarve, përfshirë edhe avokatin Luan Hasneziri, përfaqësuesi ligjor i kompanisë “Homeplan”, i cili në seancën e fundit mungoi për arsye shëndetësore.

Hasneziri, njëjtë si avokatët e tjerë mbrojtës ka kërkuar pushimin e çështjes me argumentin se nuk kemi vepër penale. Ndërkohë, avokatët e tjerë kanë kërkuar edhe pavlefshmëri të disa provave të SPAK. Në lidhje me këtë kërkesë, gjyqtarja Fjorela Davidhi është tërhequr për vendim.

Ndërkohë, më pas Davidhi do duhet të vendosë nëse do kalojë dosjen e aferës Partizani për gjykim, do kthehet për hetime të mëtejshme apo do ketë pushim të çështjes.
Kjo seancë shënon plot 6 muaj që nga mbajtja e seancës së parë paraprake në 24 tetor të vitit të kaluar. Gjatë kësaj periudhe, procesi është zvarritur vazhdimisht përmes justifikimeve të ndryshme, përfshirë mungesën e avokatëve dhe leximit të qindra faqeve në seanca. Fenomeni është denoncuar edhe nga kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili gjatë raportimit të tij para Këshillit të Lartë të Prokurorisë shprehu shqetësimin, duke theksuar se ndonëse ligji parashikon një muaj, brenda një muaji, ka raste që zvarriten për 6 deri në 9 muaj.

Kalimi i kësaj dosjeje për gjykim do të shënonte përballjen e parë të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit me drejtësin. Ish-kryeministri ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa dhëndri i tij është nën “arrest shtëpie” për akuzat korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Nga privatizimi i klubit sportiv ku përfitues ishte dhëndri i Berishës, u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh.

Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’, si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan. Bashkë me këta tre persona të fundit nën akuzë janë vendosur edhe shoqëritë e tyre tregtare për pastrim parash Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij, si një nga ish pronarët e truallit të ish kompleksit sportiv Partizani, ku u ndërtuan më pas një grup pallatesh. Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka shfrytëzuar postin e tij të kryeministrit, duke miratuar ligje dhe akte të ndryshme nënligjore të përshtatura me nevojat e ish pronarëve të truallit të ish kompleksit Partizani për të mundësuar privatizimin.

Po ashtu dyshohet se ai ka ushtruar presion, përmes kontrolleve administrative, ndaj strukturave shtetërore, në mënyrë që ata të përshpejtonin procedurat e privatizimit, si dhe i ka vënë këto struktura në dispozicion të dhëndrit Jamarbër Malltezi për të arritur privatizimin, i cili sipas SPAK përfitoi 5.4 mln euro.