Juristi dhe analisti Kreshnik Spahiu, në një intervistë për Report TV analizoi kontratën 6 milionë dollarëshe mes PD dhe kompanisë amerikane “Continental Strategy”, e zotëruar një njerëz të afërt të Trump, për të lobuar pranë qeverisë amerikane për partinë dhe Sali Berishën për një periudhë dy vjeçare.

Sipas tij, kontrata është bërë në kundërshtim me ligjin e financimit të partive politike, i cili parashikon që një person apo subjekt i caktuar s’mund të financojë një parti më shumë se 10 mijë dollarë.

“Një financim për partitë politike, nga personat fizik apo juridik, s’mund të jetë më shumë se vlera 1 mln lekë, po ta konvertojmë në dollarë jo më shumë se 10 mijë dollarë. Ky elektricisti që ka financuar PD 6 mln dollarë ka kryer veprim të paligjshëm, financim në kundërshtim me ligjin, sepse ligji për financimin e partive nuk lejon më shumë se 10 mijë dollarë financim. Financimet nga jashtë nuk lejohen por duke qenë se mund të jetë ende shtetas shqiptarë mund të parashikohet po jo më shumë se kaq. Shkelja e dytë ligjore është se çdo subjekt politik s’mund të sponsorizohet nga subjekte private më shumë se 10 përqind të vlerës që financohet nga shteti. 6 mln dollarë kalojnë vlerat maksimale të vetë PD për financimin e fushatës elektorale”, u shpreh Spahiu.

Ai thotë se shqiptaro-amerikani Nuredin Seci, edhe sikur të jetë miliarder, nuk mund të financojë me një shumë kaq të konsiderueshme PD. Sipas tij, ligjin për financimin e partive e ka hartuar vetë qeveria Berisha.

“Nuk mundet një person elektriçit, por edhe miliarder të jetë, nuk mund të financojë 6 mln dollarë. Vetë PD e ka votuar këtë ligj. Ligji për financimin e partive është hartuar nga qeveria Berisha, dhe që nuk mund të financohesh më shumë se 10 mijë dollarë dhe më shumë se 10 herë nga buxheti i shtetit”, shtoi Spahiu.

Juristi shprehet se një shumë e tillë Berishës do t’i shkojë dëm nëse synon heqjen e non gratës pasi SHBA nuk mund të blihet me para.

“6 mln dollarë do të jenë të pavlefshëm për të hequr non gratën Berishës. Do t’i shkojnë dëm. SHBA s’mund të blihet as me 6 milionë apo 6 miliardë. Koha do të tregojë se këto para të shkojnë dëm, unë uroj që të jenë me të vërtetë për forcimin e marrëdhënieve të PD me SHBA. Edhe shba do të reagojë për këtë kontratë, por pas 12 majit, do të jetë subjekt i një debati të gjatë juridik, penal, ligjor e mediatik. 12 maji do të jetë debat mbi këtë çështje.”, shtoi ai.

Më tej, ai thotë se KQZ duhet të reagojë pasi ka pasur arrestime për krim zgjedhor për një shumë vetëm 50 euro, dhe s’mund të heshtet për një rast të tillë si i Berishës.

“Do të thoja që KQZ duhet të reagojë edhe për një arsye tjetër se kemi rast të paprecedentë. Hesht KQZ, të gjitha partitë politike, të gjitha institucionet, ambasadat, dmth si ka mundësi të ketë konformizëm të tillë për një vend kaq të varfër sa Shqipëria.”, shtoi ai.