Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar me shqetësim lidhur me deklaratat e fundit të deputetit të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, i cili ka përdorur një gjuhë fyese dhe denigruese ndaj gazetarit Xhensil Shkëmbi.
Në një deklaratë për media, Asociacioni dënon ndërhyrjen verbale të deputetit Spaho, duke e konsideruar të papranueshme dhe të rrezikshme për lirinë e shprehjes dhe të medias në vend.

“Është e papranueshme që një përfaqësues i politikës të ndërhyjë në mënyrë kaq të dhunshme verbale, jo vetëm ndaj një gazetari, por edhe ndaj të drejtës së tij për të shprehur lirisht mendimet, besimin dhe angazhimin qytetar”, thuhet në deklaratë.
Asociacioni dënon përdorimin e epitetit “gazetar i regjimit”, ironizimin e besimit fetar dhe gjuhën që, sipas tyre, cenon dinjitetin njerëzor.
“Është një gjuhë që jo vetëm ul nivelin e debatit publik, por ka për qëllim të frikësojë dhe poshtërojë zërat e pavarur”, vijon deklarata.
Asociacioni i bën thirrje deputetit Spaho të kërkojë ndjesë publike për gjuhën e përdorur dhe u kërkon institucioneve shtetërore të sqarojnë ngjarjen në fjalë.
View this post on Instagram