12 mbretër dhe mbretëresha, 52 krerë shtetesh, 23 kryeministra, delegacione nga 166 vende, rreth 4000 meshtarë dhe të paktën 200 mijë besimtarë do të marrin pjesë në ceremoninë mortore të Papa Françeskut, në orën 10:00.
Ceremoni mortore për një bari dhe jo për një sovran, ashtu siç kishte kërkuar vetë Françesku, i cili në qershor kishte miratuar zgjedhjet liturgjike. Papa do të ishte i lumtur të dinte se nga Argjentina kishte mbërritur edhe nipi i tij, Mauro Bergoglio, djali i vëllait të tij Oscar. Infermier, pa mundësi të mjaftueshme për të përballuar një udhëtim të kushtueshëm përtej oqeanit, Mauro mori një biletë për vete dhe për bashkëshorten, dhuruar nga një agjenci udhëtimesh argjentinase. Sot, së bashku me pak të afërm të tjerë italianë, do të ulet pas altarit.

Protokolli i vendeve dhe rendi alfabetik frëngjisht
Rendi i rëndësisë së delegacioneve dhe rendi alfabetik në gjuhën frënge – gjuha e diplomacisë në Vatikan – së bashku me një vlerësim të rrethanave protokollare, kanë udhëhequr monsinjor Paul Gallagher, sekretar për marrëdhëniet me shtetet, në këtë mozaik të ndërlikuar të caktimit të vendeve. Në të djathtë të altarit, nëse shikohet nga Bazilika, do të jenë autoritetet, për të cilët është kërkuar veshje tërësisht e zezë; në të majtë do të jenë kardinalët, me pesë rreshtat e parë të karrigeve të kuqe.
Krerët e shteteve dhe të qeverive
Ndër krerët e shteteve do të jenë gjermani Steinmeier, braziliani Lula da Silva, polaku Duda, portugezi De Souza, filipinasi Marcos. Ndër kryeministrat (të pranishëm do të jenë britaniku Starmer, kancelari gjerman Scholz, hungarezi Orban), bie në sy mungesa e spanjollit Pedro Sanchez. Pak vende janë rezervuar për nipërit e Bergoglios dhe për “familjen” e tij vatikane, pas celebruesit – dekani i kolegjit kardinalor Giovanni Battista Re – i shoqëruar nga 220 kardinalë dhe 750 ipeshkvij e meshtarë. Më poshtë në shesh do të jenë dy sektorë të tjerë për autoritetet, ku do të ulet ish-presidenti amerikan Joe Biden me bashkëshorten Jill. Nga Shqipëria, Presidenti Bajram Begaj.
Orari i ceremonisë
Sheshi Shën Pjetër u hap për besimtarët që nga ora 05:30. Mbërritja e delegacioneve të huaja duhet të përfundojë deri në orën 09:30. Në orën 10:00 arkivoli do të dalë nga Bazilika përmes Portës së Lutjes. Ceremonia do të jetë në latinisht, por shumëgjuhëshe: leximet në anglisht dhe spanjisht, hyrja në lutjen e besimtarëve në italisht, lutjet universale në frëngjisht, arabisht, portugalisht, polonisht, gjermanisht dhe kinezçe. Në përfundim të funksionit, në orën 11:30, arkivoli do të rikthehet në Bazilikë për t’u vendosur mbi një automjet të posaçëm, që, duke dalë nga porta Perugini, do ta çojë në Santa Maria Maggiore, përmes Corso Vittorio Emanuele, piazza Venezia, Fori Imperiali, via Labicana dhe via Merulana. Kortezhi prej gjashtë kilometrash, në të cilin do të marrin pjesë vetëm disa automjete me familjarë, bashkëpunëtorët më të afërt dhe 15 kardinalë, do të ecë ngadalë dhe do t’i duhet rreth një orë për të mbërritur në Santa Maria Maggiore, ku arkivoli do të vendoset në varr./ Përshtatur nga La Repubblica