Dje, Sali Berisha, ndoshta në një moment deliri demence të shkaktuar nga mosha, guxoi të krahasojë emrin tim me atë të një sipërmarrësi italian, Francesco Becchetti, i dënuar më 23 shkurt 2022 nga Gjykata e Tiranës me 17 vite burg, i gjykuar në mungesë për vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës, krijimin e skemave mashtruese me qëllim përfitimi të paligjshëm si dhe pastrim parash. Bashkë me Becchettin u dënuan rëndë edhe familjarë dhe bashkëpunëtorë të tij. Duke qenë se unë jam me të vërtetë garantist, kujtoj se ky është një dënim në shkallë të parë dhe se për të gjykuar fajësinë e Becchettit duhet pritur përfundimi i të gjitha shkallëve të gjykimit. Por krahasimi i bërë nga Berisha midis historisë sime dhe asaj të Becchettit është gjithsesi një turp që meriton një përgjigje.

Duke folur para një grupi të vogël militantësh të njësisë 5 të Tiranës, Berisha deklaroi: “Po Beketi, u kujtohet ju? Beketi, një investitor që ndërtoi përveç të tjerash edhe një televizion. Ai televizion nuk ishte as televizion kombëtar. Ai ishte një televizion që prodhonte disa emisione, kritikonte qeverinë, kritikonte opozitën, sepse ishte një italian që donte të tregonte se po bënte një media të pavarur. Nuk ishte Bolino ai. Jo mor jo, ai ishte e kundërta e Bolinos. Se nuk pranonte të bëhej skllav i Edi Ramës. Ky e merr dhe e përzë si gangster atë.”

Nuk është hera e parë që Berisha mbron Becchettin: ai e bën që kur sipërmarrësi italian (më pas edhe botues i Agon Channel) bleu për 150.000 euro një “pikturë” të vendosur në ankand nga Liri Berisha në një nga darkat e saj të famshme bamirësie, të organizuara kur Berisha ishte kryeministër, dhe kush donte të bënte biznes me qeverinë, duhej të jepte një kontribut për familjen. Berisha, për ta shpërblyer, i vuri në dispozicion instrumentin më të çmuar që kishte krijuar, më të fuqishëm madje se qeveria e tij: drejtësinë. Francesco Becchetti fitoi kështu një proces në Apel (më 24 mars 2009) dhe më pas në Gjykatën e Lartë (më 7 mars 2011) që dënonte kompaninë prestigjioze italiane EnelPower të dëmshpërblente sipërmarrësin mik të qeverisë me një shumë marramendëse prej 440 milionë eurosh për një konflikt të lidhur me ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit, të cilin Becchetti as që e kishte ndërtuar ndonjëherë. Për shkak të atij vendimi, të konsideruar nga Roma dhe kancelaritë evropiane si “skandaloz”, jo vetëm ENEL, por edhe shumë kompani të rëndësishme italiane hoqën Shqipërinë nga lista e vendeve ku ia vlente të investoje.

Me të njëjtën metodë, të cilën Berisha duket se e respekton, Becchetti përdori koncesionin e hidrocentralit të Kalivaçit (një vepër fantazmë, edhe më e keqe se inceneratori i Tiranës) për të fituar gjithashtu arbitrazhe ndërkombëtare kundër Deutsche Bank gjermane dhe në fund kundër qeverisë shqiptare. Në të vërtetë, Berishës nuk i intereson aspak që taksapaguesit shqiptarë rrezikojnë të vidhen nga arbitrazhet e fituara nga Becchetti, për të cilat kontribuan edhe disa dëshmi “të pavarura” nga disa gazetarë të Syri.net, televizioni i familjes Berisha: për të ka rëndësi vetëm përdorimi i atyre vendimeve të çmendura për të sulmuar qeverinë.

Por çështja nuk është kush është Becchetti. Çështja është kush jam unë dhe me ç’të drejtë guxon Sali Berisha të më konsiderojë më keq se Becchetti.Gjëja e parë që duket se demenca i ka fshirë nga kujtesa këtij njeriu, është se jam unë ai që u “përzura si gangster” nga Shqipëria kur ai ishte në pushtet, pikërisht sepse doja të tregoja se si ndërtohet një media e pavarur. Nuk kam ditur ndonjëherë që ky ishte edhe qëllimi i Becchettit. Ishte vera e vitit 1995 kur Berisha urdhëroi dëbimin tim nga vendi, por ndryshe nga Becchetti, i cili kaloi përmes një procesi gjyqësor, dëbimi im u vendos personalisht nga Berisha, i këshilluar nga bashkëpunëtori i tij kriminal Bashkim Gazidede dhe nga drejtori i policisë Agim Shehu: pa gjyq dhe pa shpjegim.

Dallimi i dytë i madh është se unë, ndryshe nga Becchetti, nuk e kam paditur shtetin shqiptar duke kërkuar një dëmshpërblim për padrejtësinë e pësuar. Do të thotë se nuk kam kërkuar që shqiptarët të paguajnë për fajet e Berishës. Dhe nuk ka asnjë dyshim se unë kam pësuar një padrejtësi. Arkiva ime e 32 viteve të jetuara në Shqipëri e tregon pa asnjë hije dyshimi se Berisha më dëboi vetëm sepse nuk e duronte dot pavarësinë time si gazetar, që vetëm për këtë konsiderohesha opozitar. Edi Rama nuk kishte ende asnjë lidhje as me mua as me pushtet, lideri i opozitës Fatos Nano e kishte mbyllur në burg, dhe Berisha zotëronte 100% të pushteteve publike. Po prapë unë isha armik. Si e dëshmojnë dokumentet e Ministrisë së Jashtme italiane, të gjithë zyrtarët e lartë të së cilës negociuan me njerëzit e Berishës për rikthimin tim, konstatuan se ndaj meje “autoritetet shqiptare nuk kishin ngritur asnjë akuzë për krime apo sjellje të tjera të paligjshme”, dhe se dëbimi im ishte i lidhur në mënyrë të padiskutueshme me profesionin tim si gazetar.

Por ka më shumë. Në një komunikim të një zyrtareje të lartë italiane që kishte marrë pjesë në negociata, saktësohej se edhe Bashkimi Evropian në atë kohë ishte i alarmuar nga shkeljet e përsëritura të të drejtave të njeriut nga qeveria e Sali Berishës, dhe se “rasti Bollino” padyshim bënte pjesë në to. Këtë mund ta dëshmojnë edhe ndërmjetësuesit e Komunitetit të “Sant Egidio”, që dhanë kontributin e tyre të çmuar për të gjetur një marrëveshje, dhe që në fund arritën vërtet një kompromis: unë mund të rikthehesha në Shqipëri me kusht që të dorëhiqesha nga drejtimi i “Gazeta Shqiptare”, gazeta që Sali Berisha e urrente dhe për të cilën prej vitesh përpiqej të krijonte një klimë kriminalizimi me fushatat e tij shpifëse. Unë e pranova, por Berisha nuk e mbajti fjalën. Këtë e tregojnë dokumentet e nënshkruara nga policia kufitare (qe bej publike sot për hërë te pare), në të cilat çdo herë që hyja në vend (me një leje speciale të dhënë nga Partia Demokratike!!) thuhej se mund të qëndroja “vetëm tre ditë”. Sikur të isha gangster!!

Sali Berisha jo vetëm që më dëboi, sepse sipas tij bëja opozitë ndaj qeverisë, por u përpoq gjithashtu të shpronësonte edhe “Gazeta Shqiptare”, duke vendosur se kush duhej ta drejtonte redaksinë pas meje, që edhe kjo gazetë të bëhej zëdhënëse e partisë së tij. Një plan që dështoi vetëm falë reagimit të guximshëm të kolegëve shqiptarë që punonin aty, të gatshëm t’i vinin zjarrin redaksisë më mirë sesa të dorëzonin pavarësinë e saj.

Kjo është historia e vërtetë e Sali Berishës, e marrëdhënies së tij me lirinë e mendimit dhe me mua. Jam mësuar me sulmet e tij vulgare që prej 32 vitesh, por ai nuk ka të drejtë të flasë për lirinë e shtypit, e aq më pak të japë shembuj të pavarësisë editoriale. Vetëm pak muaj pas dëbimit tim, Sali Berisha dhe Partia demokratike organizuan zgjiedhjet politike të 1996, dëshmi e një manipulimi spektakolar që ka mbetur në historinë e shëmtuar të vendit. Një vit pas dëbimit tim, Sali Berisha, duke përfituar nga kryengritjet pas falimentimit të firmave piramidale që prapë ai vetë i kishte krijuar, vendosi censurë në media dhe hartoi një listë të zezë gazetarësh që duheshin “goditur në rrugë”: për këtë arsye u fut në listën botërore të armiqve të lirisë së shtypit. Fakti që sot ai përmend me krenari ato vite, duke më treguar ende si armikun për t’u goditur, tregon se nuk ka ndryshuar kurrë.

Sa për Francesco Becchettin, i uroj atij dhe Shqipërisë që të bëhet drejtësi e vërtetë. Por fakti që mbrohet nga Sali Berisha është më shumë një tregues faji, sesa provë pafajësie.