Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar në takim kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin.

Kurti i ka ftuar dy liderët e partive opozitare në takimin që pritet të mbahet nesër, në orën 08:30 për krijimin e institucioneve të reja, përkatësisht zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Ftesa nga Kurti vjen pasi seanca konstituive ka dështuar për disa herë radhazi të zgjedh Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit.

“Duke u bazuar ne Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me z. Memli Krasniqi, kryetarin e PDK-së, në sallën N-204 te Kuvendit të Republikës se Kosovës, nesër (e enjte), 1 maj 2025, në orën 8:30. Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes”, thuhet në letrën e Kurtit.

Ende nuk dihet nëse Abdixhiku dhe Krasniqi do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga Kurti. Lumir Abdixhiku në fillim të këtij muaji refuzoi një ftesë të kreut të LVV për takim. Sipas Abdixhikut, gjuha e Kurtit e përdorur gjatë dhe pas fushatës s’mund të anashkalohej.

Lëvizja Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, ose ndryshe 48 ulëse në Kuvend. Por për formimin e Qeverisë së re asaj i duhen të paktën 61 vota. Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20. AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit. Bashkimi Evropian ka thënë ditë më parë se Kosova duhet t’i formojë shpejt institucionet e reja.