Zbulohet për herë të parë shifra marramendëse që Partia Demokratike i paguan një kompanie amerikane, e zotëruar një njerëz të afërt të Trump, për të lobuar pranë qeverisë amerikane për një periudhë dy vjeçare.
Report Tv ka siguruar kontratën e lidhur mes PD dhe Continental Strategy, ku një prej drejtuesve është edhe Katie Wiles, vajza e Susie Wiles, që shërbeu si shefja e fushatës së presidentit Trump në 2024, bashkëpunëtore e ngushtë e Chris LaCivita, i cili është shefi i fushatës elektorale te Berishës.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump njoftoi më 7 nëntor 2024, dy ditë pas zgjedhjes, se menaxherja e fushatës së tij, Susie Wiles, do të emërohej si shefe të kabinetit të ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë dhe aktualisht e mban postin e shefes së kabinetit.
Me këtë kontratë, Sali Berisha dhe PD duhet t’i paguajnë kompanisë amerikane 6 milionë dollarë për dy vite.
Përmes kësaj kontrate, Partia Demokratike me sa duket kërkon më shumë akses në majën e Shtëpisë së Bardhë, por edhe zgjidhjen e disa problemeve nga e shkuara. Jo rastësisht, shërbimi i parë që kompania e lobimit ka realizuar për PD-në është një bisedë telefonike me Dan Holler, shefin e stafit të sekretarit të shtetit Marco Rubio, njeriu që ka në dorë të zhbëjë dizenjimin non grata të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga ish sekretari Blinken.
Zbulohet se PD e Berishës ka parapaguar kompaninë amerikane me 750 mijë dollarë, ndërkohë që çdo muaj duhet t’i paguajë kompanisë 250 mijë dollarë për një periudhë 2-vjeçare.
Se kush është burimi i kësaj shume marramendëse qe Sali Berisha po paguan për lobim këtë kompani amerikane mbetet mister, por ajo që mund të themi është se kjo është kontrata më e madhe e lobimit në histori, plot 6 milionë dollarë për të hequr non grata-n e Berishës, i sanksionuar nga qeveria amerikane në 2021 bashkë me familjen për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë.
“Klienti (nëpërmjet Garantuesit të tij) do t’i paguajë firmës një mbajtës mujor prej 250,000 dollarësh për një paketë mbështetëse gjithëpërfshirëse të iniciativave të lobimit, advokimit dhe çështjeve gjyqësore strategjike për një periudhë prej 24 muajsh (“garancia mujore”) dhe në përputhje me Afatin e Marrëveshjes. Pagesa për tre muajt e parë (paradhënie) do të bëhet me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje”, thuhet në kontratën e nënshkruar në datën 4 prill.
Garantori i kontratës së majme është Nuredin Seci, një shqiptaro-amerikan me origjinë nga Tropoja, që jeton në New York dhe rezulton si alpinist.
Nuredin Seci është anëtar i kryesisë së degës “Vatra Mëmëdheu” në Nju Xhersi të SHBA-ve, dega më e re e hapur në vitin 2025. Por nuk dihen rrethanat, lidhjet dhe faktorët, se si ky person ka dalë garant për një kontratë kaq marramendëse.
Kontratën e ka firmosur sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, dhe ish këshilltarit të presidentit Trump, Carlo Trujillo, në cilësinë e Presidentit të ‘Continental Strategy’.
“Detyrimi i Klientit për t’i siguruar Firmës informacionin e nevojshëm për të avancuar sa më mirë objektivat e Klientit. Klienti (nëpërmjet Garantëve të tij) është përgjegjës për pagesën në kohë të Tarifës Mujore dhe shpenzimeve, sipas përcaktimeve më poshtë”, thuhet mes të tjerash në kontratë.
Sipas kontratës, kompania e lobimit do të ofrojë shërbimet e mëposhtëme për llogari të Partisë Demokratike:
1- Krijimi i marrëdhënieve me aktorët kryesorë në qeverinë dhe kongresin e SHBA-ve për të lehtësuar zhvillimin e politikave.
2- Mbështetje për të promovuar demokracinë, nismat kundër korrupsionit dhe reformat qeveritare në përputhje me marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.
3- Përdorimi i përvojës së gjerë në marrëdhëniet me qeverinë, advokimin e politikave, të dërguarit ligjorë dhe angazhimin e palëve të interesuara në linjë me objektivat e Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj, Aleanca për Shqipërinë e Madhe.
Carlos Trujillo (i lindur më 25 shkurt 1983) është një lobist amerikan dhe profesionist i çështjeve qeveritare, i cili më parë ka shërbyer si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Shteteve Amerikane.
Anëtar i Partisë Republikane, ai më parë ka shërbyer katër mandate në Dhomën e Përfaqësuesve të Floridës nga viti 2010 deri në emërimin e tij si ambasador.
Çfarë përfaqëson kompania amerikane e lobimit, kush e drejton dhe historiku
Kompania u themelua në vitin 2021 nga këshilltari i tij Carlos Trujillo. Zoti Trujillo e themeloi Continental menjëherë pasi Trump la detyrën, pasi kishte shërbyer në administratën e tij të parë si ambasador në Organizatën e Shteteve Amerikane.
Vetëm disa ditë pas rizgjedhjes së Donald Trump si President i SHBA-ve për herë të dytë, Continental njoftoi një promovim për Katie Wiles, vajzën e Susie Wiles, që shërbeu si shefja e fushatës së presidentit Trump.
Disa ditë më pas, Continental kontraktoi Alberto Martinez, një ish shef stafi i sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, si një partner menaxhues për të ndihmuar në rritjen e mëtejshme të Continental.
Ndërkohë, në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar firma punësoi zëvendësdrejtorin politik të fushatës së Trump, Alex Garcia si partner.
Zgjedhja e një kompanie që zotërohet nga njerëz të rrethit të ngushtë të presidentit të SHBA-ve Donald Trump duket se nuk është e rastësishme. (Shqiptarja.com)
Kliko këtu për të lexuar kontratën