Arritjet e punës së SPAK, por edhe problemet me të cilat janë përballur prokurorët e Posaçëm gjatë vitit 2024, u prezantuan para Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga kryeprokurori Altin Dumani. Para nisjes së mbledhjes, kreu i SPAK u shfaq krah një përfaqësuesi të ambasadës Amerikane në Tiranë dhe një prokurori të OPDAT, të cilët ishin të pranishëm teksa Dumani bëri bilancin e punës për institucionin që drejton, i ulur krah dy zv.drejtorëve Adnand Xholi dhe Klodian Braho.
Në nisje të prezantimit të raportit për vitin 2024, i depozituar edhe në Kuvend, Dumani ngriti shqetësimin për sulmet dhe presionin e adresuar në drejtim të SPAK nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe mediatik. Përpos kësaj, Dumani tha se “pavarësisht sfidave s’e kemi ndaluar punën duke shënuar arritje në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Për të përballuar presionet, Dumani tha se si zgjidhje ka gjetur edhe futjen e tij vetë apo të grup prokurorëve në një çështje të caktuar, ndërsa nuk e fshehu mirënjohjen për reagimet e KLP, dhe në këtë drejtim një falënderim të veçantë e kishte për Policinë e Shtetit.
“Nuk mund të rri pa thënë edhe bashkëpunimin shumë të mirë dhe angazhimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në çdo rast kur prokurorët apo hetues kanë qenë objekt kërcënimi nga krimi i organizuar. Gjithnjë e më tepër këto raste po bëhen më të shumta dhe më shqetësuese”, theksoi Dumani.
Edhe pse jo e pasqyruar në raportin e vitit që lamë pas, Dumani ngriti shqetësimin se GJKKO po zvarrit seancat paraprake, duke vënë në rrezik edhe afatet e paraburgimit. (Një nga rastet e zvarritjes së seancave paraprake është edhe dosja e aferës korruptive ”Partizani”, që prej 6 muajsh ka mbetur peng i taktikave të zvarritjes nga të pandehurit, mes tyre Sali Berisha dhe dhëndri Jamarbër Malltezi.)
“Kodi i Procedurës Penale parashikon që gjyqtari paraprak, brenda aftit 1 mujor duhet të konkludojë me një vendimmarrje, ama praktika na tregon që zgjasin 6 muaj, 4 muaj, 9 muaj”, tha Dumani teksa raportonte në KLP, ndërsa të njëjtin shqetësim e ngriti edhe për gjykimin e shqyrtuar, duke theksuar se aplikimi i tij kërkon kohë, edhe më shumë se çfarë zgjaste para ndryshimeve të Kodit Penal në 2017.
Një pjesë e kritikave të shefit të qeverisë Edi Rama kundrejt drejtësisë duket se do të marrin zgjidhje, pasi brenda vitit drejtuesi i SPAK premton se dëshmitë, në godinën e re, do të merren me audio dhe me video.
Një tjetër problematikë me të cilën po përballet SPAK, mbetet edhe mosekstradimi i shqiptarëve nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të hetuar apo dënuar për vepra penale që kanë të bëjnë me krimin e organizuar. Sa i takon kësaj pike, Dumani tha se “do ishte e përshtatshme që edhe ekstradimi i drejtuar autoriteteve të huaja të ishte në kompetencën e SPAK”, duke qenë i vetëdijshëm që kjo pikë kërkon ndërhyrje në Kodin Penal.
Në tryezën para “qeverisë” së prokurorëve, kreu i SPAK nuk harroi të ripërsërisë kërkesën e tij që prokurorëve të posaçëm t’u jepet mundësia e rikandidimit pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar, por në asnjë rast riemërim në mënyrë automatike.
Para 11 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Dumani kërkoi të zgjidhjet sa më shpejt mungesa e këshilltarëve ligjorë, ndërsa tha se problematikë gjithnjë e më shqetësuese është edhe ulja e referimit nga institucionet, krahasuar me atë të qytetarëve. Sa i përket hetimit pasuror, Dumani tha se kufiri aktual prej 500 eurosh është i ulët dhe duhet të ndryshojë.
“Me ndihmën e këshilltarëve, vlerësojmë që prokurorët do të jenë në gjendje t’i japin zgjidhje çështjes në kohë më të shpejtë. Këshilltarët ligjorë ndihmojnë në paraqitjen në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese. T’i përdorim për përfaqësimin e prokurorëve para gjykatave. Ata nuk përfshihen gjatë hetimeve se është sekret. Nëse do të kishim këshilltarë do të ndihmonte jo vetëm në sasi, por edhe në cilësi”, tha Dumani.
Nga raporti 106 faqësh, Dumani veçoi shifrat kryesore të një viti punë, si 33 ish-zyrtarët e hetuar për korrupsion, goditjen e dy organizatave kriminale si edhe sekuestrimin sekuestrimin e 10 mln euro kriptomonedhave (goditur grupit të Çopjave).
“Pra në 5 vite institucioni ka performancë të mirë, rezultate modeste. Si e shoh të ardhmen? Me pjekurinë që ka fituar është në gjendje për të vazhduar më tej dhe rritur performancën në goditje”, përfundoi Dumani pas raportimit që zgjati rreth 2 orë.