Pashka është ndër të djelat më të veçanta për familjet katolike. Drita e ringjalljes që rikthen shpresën në familjet e besimtarëve shoqërohet me ritualet e bukura të bashkimit dhe harmonisë familjare, duke i hapur rrugë një sezoni që besimtarët, pas bekimit, e shpresojnë të bollshem.

Report TV u ndal sot në familjen e Vasë e Dila Lazri në fshatin Nënshat të Vaut të Dejës. Dita nis plot gëzim. Dy të moshuarit që presin fëmijët nga emigrimi që t’u bashkohen për drekën e Pashkës, e nisin ditën me thyerjen dhe ngrënien e të bekuarës, siç konsiderohet buka e bekuar një ditë më parë në kishën e zonës.

Dy të moshuarit tregojnë mbi traditën e bukur të kësaj dite, e cila në këtë zonë rikthen dhe përdorimin e veshjeve tradicionale.

‘Veshjen ne e kena pas traditë, fshati këtë veshje zadrimore kena pas. Kur vjen gjithmonë e diela e Pashkës ne veshim tesha të reja. Është një gëzim i madh, duke qenë se është dhe ringjallja e Jezusit.’-shprehet Dila.

Pjesë e këtij gëzimi është dhe loja e vezëve të Pashkëve. Dita e Pashkëve konsiderohet në familjet e besimtarëve edhe si ditë e anashkalimit të mërive dhe faljes.

‘Nëse kemi pasur një hidhërim apo mëri ne këtë festë ecim për të dashtë njëri-tjetrit. Atë që thotë Jezu Krishti. Ne ecim me Zotin përpara-shprehet Vasë Lazri.

Vasë e Dila Lazri, me urimin për Pashkët, shpresojnë edhe tek ditë më të mira në këtë botë, ku gjithnjë e më shumë ka devijime.

Familjet shqiptare, veç besimit, po ruajnë gjithnjë edhe traditat që kanë karakterizuar këto festa.