Në qytetet e vendit po rikthehen zonat historike, të rivitalizuara, falë projekteve dinjitoze, të cilat ruajnë vlerat historike dhe arkitektonike, por njëkohësisht pasurojnë me elemente të reja hapësirat, duke i transformuar ato në pika tërheqëse për turistë e vizitorë.

Pogradeci ëhstë një prej qyteteve, ku po rilind lagjja historike, për t’u kthyer shumë shpejt në një pol të rëndësishëm turistik, duke ruajtur njëkohësisht edhe arkitekturën unike të saj; rrugët me kalldrëm, fasadat e afro 100 shtëpive me ballkonet, dritaret, grilat e drurit dhe elementë të tjerë karakteristikë.

Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet sot në Pogradec, e nisi nga kjo lagje inspektimin e kantiereve të çelura në qytet.

“Këtu jemi në zonën historike të Pogradecit. Ky është projekti i rehabilitimit të zonës historike, i cili është një projekt që trajton të gjithë elementët e kësaj zone, duke filluar nga struktura nëntokësore, trajtimin e ujërave të bardha, sistemin e ndriçimit tek shtrimi me pllaka guri.

Dhe ajo që është më e rëndësishme është trajtimi i 97 objekteve, që janë trajtimi i çative, i fasadave, i dritareve, i grilave të drurit, të cilat rehabilitojnë, duke kthyer të gjithën në një zonë historike, në një Old Toën, e cila për afërsinë që ka krijon një sinergji dhe në pjesën e turizmit.” – shpjegoi Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli.