Kryesocialisti Edi Rama, pasditen e sotme, ka zhvilluar një takim me votuesit për herë të parë të tre njësive në Tiranë. Në kuadër të fushatës elektorale, kreu i PS-së ka vendosur në agjendën e tij takime me të rinj. Rama e nisi fjalën e tij duke sjellë në vëmendje disa vite të së shkuarës, duke u treguar të rinjve të pranishëm se shumë prej ngjarjeve të atyre viteve ata nuk i kanë përjetuar. Kryesocialisti foli për periudhën e firmave piramidale, duke u thënë të rinjve se nuk e dinë çfarë kanë humbur dikur disa prej prindërve të tyre. Më tej, Rama foli për trazirat e vitit ’97, ku, sipas tij, ata nuk e kanë jetuar “zhurmën e kallashnikovëve”. Sipas Ramës, Shqipëria dikur ka humbur disa shanse historike.

‘Por nëse do ta vazhdojmë pak më tej, unë e kuptoj shumë mirë që shumë nga shokët dhe shoqet e mia, që nuk kanë parë çfarë kemi parë ne me sytë tanë, që nuk e dinë se nga është nisur ky qytet për të ardhur këtu ku është sot, që nuk e kanë jetuar historinë e viteve ’90, që nuk e kanë përjetuar shqipërinë në prag të humnerës, që nuk i kanë parë rrugët të mbushura me njerëz të armatosur, që nuk kanë fjetur ndonjëherë në zhurmën e kallashnikovëve, që nuk kanë parë çdo mbrëmje në televizor se sa vetë ishin vrarë rrugëve Sot bëjnë pyetje: “Po përse PS?”. Njëri prej argumenteve është se, nëse PS do ta kishte pasur detyrën për të drejtuar vendin në mënyrë të pandërprerë që nga viti 1992 e deri më sot, Shqipëria do të ishte sot në Bashkimin Evropian. Nuk do të kishte humbur disa momente historike, disa shanse të pakthyeshme, duke rënë në humnerë dhe nga ana tjetër, në të gjitha herët dhe vendet, qoftë në krye të vendit, qoftë në krye të bashkive, kurdoherë që të tjerët kanë pasur mundësinë për të drejtuar, vendi dhe çdo bashki e tij ka dalë më keq sesa kur e ka marrë drejtimin Partia Socialiste. Në të gjitha rastet, çdo herë që PS ka marrë drejtimin e vendit, gjërat kanë qenë më mirë.’