Gati një muaj më parë, ish-mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, doli për gati dy orë para një gjyqtari në gjykatën Majadahonda në periferi të Madridit, për rolin e tij në negocimin e marrëveshjes për zhvendosjen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite, për rreth 40 milionë euro në vit.

Një burim gjyqësor i tha AFP se në fund të seancës, Pique filloi të qajë, duke folur për “dëmtimin e reputacionit të tij” të shkaktuar nga mbulimi mediatik i çështjes. Ky informacion u konfirmua nga gazeta e përditshme El Periodico të enjten, me regjistrime audio për ta mbështetur atë.

Në vitin 2019, ndërsa ende luante për Barçën, kampioni i botës i vitit 2010 veproi si ndërmjetës, nëpërmjet kompanisë së tij Kosmos, midis kompanisë saudite Sela dhe Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF).

Falë kësaj kontrate, ai do të merrte 4 milionë euro në vit nëpërmjet kompanisë së tij, një komision i konsideruar potencialisht mashtrues nga gjyqtari përgjegjës i kësaj çështjeje, i cili po heton një sërë kontratash të nënshkruara nga RFEF gjatë mandatit të Luis Rubiales, mes viteve 2018 dhe 2023.

Më 15 mars, pasi dëshmoi për një orë e 53 minuta, gjatë së cilës ai mohoi t’i kishte paguar ryshfet ish-kreut të futbollit spanjol, futbollisti i pensionuar donte të bënte një deklaratë përfundimtare.

“Është shumë frustruese ”, u ankua fillimisht Pique. “Jam i bindur se Federatës Spanjole të Futbollit i kemi sjellë vlerë të paçmuar, kontratën më të madhe në historinë e saj”.

“Unë e kuptoj shumë mirë se në Spanjë njerëzit mund ta shohin çështjen saudite në një mënyrë, ose në një tjetër dhe nuk dua të ndalem në këtë”, preferoi të shmangej spanjoli, para se të vazhdonte, duke kërcitur zërin e tij:

“Në çdo vend tjetër të botës, dua të them, dhe nuk dua të marr një medalje, ata do të bënin një statujë të imazhin tim, por është një kontribut shumë i vlefshëm”.

Në përfundim të monologut të tij, Pique tha se ishte i bindur se çështja do të dështonte dhe se do të lirohej: “Do të përfundojë dhe shpresoj të mbyllet sa më shpejt, por në fund askush nuk do të paguajë dëmin e imazhit tim”.