Mëngjesin pas grabitjes, Yunice Abbas u kthye në shtëpi për të fjetur. Kur u zgjua, gruaja e tij po shikonte lajmet ku njoftohej se Kim Kardashian ishte grabitur me armë në Paris. Bizhuteritë e saj, me vlerë rreth 10 milionë dollarë, përfshirë unazën e fejesës që kushtonte 4 milionë dollarë, ishin vjedhur.

Gruaja e Abbas-it e akuzoi me dyshim, dhe me të drejtë: ai kishte kaluar jetën në krime. Kjo grabitje ishte menduar të ishte e fundit për të, por gabimet e shumta i çuan në arrestimin e tij dhe të të tjerëve në fillim të vitit 2017.

Dhjetë persona dolën në gjyq, pesë si autorë dhe gjashtë si bashkëpunëtorë. Pjesa më e madhe e tyre ishin të lindur në vitet 1950. Abbas dhe Aomar Ait Khedache pranuan fajin.

Grabitja ndodhi në orët e para të 3 tetorit 2016, në një hotel luksoz në Paris. Të veshur si policë, grabitësit kërcënuan recepsionistin dhe arritën në dhomën e Kim-it, e cila u lidh dhe u la në banjë.

Hetimet zbuluan se planifikimi ishte i mangët: Abbas rrëzoi një çantë me bizhuteri gjatë ikjes, dhe ADN-ja e lënë në vendngjarje i çoi policët te grabitësit. Gjithashtu, policia dyshon se informacione për lëvizjet e Kim-it janë dhënë nga Gary Madar, i cili punonte për një kompani transporti të njohur nga familja Kardashian.

Bizhuteritë u shkrinë ose u shitën. Unaza e fejesës nuk u gjet kurrë. Ngjarja la pasoja te Kim Kardashian, e cila u tërhoq përkohësisht nga rrjetet sociale dhe rriti masat e sigurisë.

Në maj, Kim do të dëshmojë në gjyq përballë grabitësve, në një ngjarje që pritet të tërheqë sërish vëmendje të madhe mediatike.