TIRANË- Kryeministri Edi Rama foli për hekurudhën “Kuq e Zi”, projekti ky, i cili do të lidhë Durrësin me Prishtinën.
Ai theksoi se ky projekt nuk ka lidhje me zgjedhjet, por me vizionin e “Shqipërisë 2030”.
“Ky projekt është prezantuar në çdo fazë të tij, madje edhe në një mbledhje të përbashkëta të dy qeverive, kur ishte në nivelin e projekt-idesë. Pra, nuk ka lidhje me zgjedhje, por me fazën e re kur konsulentët austriakë kanë përcaktuar opsionin e kalimit nga Shkodra përmes Gjakovës në Prishtinë si më të mirin. Prandaj, ekipi ynë i përbashkët e ka parë të udhës ta bëjë me dije e edhe mbylljen e kësaj faze, sepse jeta vazhdon. E dyta, se sa do të kushtojë , këtë do ta nxjerrë projekti i detajuar, i cili përsëri do të bëhet nga një ekspertizë ndërkombëtare e nivelit të lartë dhe do të aprovohet nga Fondi Evropian i Investimeve të Ballkanit Perëndimor. Por një gjë është e sigurt, që pa lekë, hekurudha nuk bëhet dot. A do mbarojë apo s’do mbarojnë këtë projekt, këtë fatmirësisht nuk e kanë në dorë ata që vetëm shajnë dhe tallen nga kafenetë e Tiranës dhe Prishtinë, por e kanë në dorë ata që punojnë në llogoren e të ardhmes. Këto hekurudhat nisin me radhë, por jo më vonë se 2030″, tha ai.