Shtyhet përsëri seanca gjyqësore në GJKKO për kreun e grupit parlamentar të PD-së, deputetin Gazmend Bardhi, i kallëzuar nga KESH për akuzën e shpifjes.

Prokurori Sotir Kllapi ka paraqitur sot (17 prill) kërkesë për shtyrje në Gjykatën e Posaçme, për shkak të veprimeve të ngutshme hetimore.

Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi, informon se seanca e radhës është caktuar për në datën 5 maj 2025, ora 14:00.

I paditur nga KESH, në seancën e 4 marsit, nuk është gjetur pajtimi dhe çështja shkoi në gjykim me prokuror.

Avokatët e Korporatës Energjetike Shqiptare kërkuan që Bardhi të përgënjeshtrojë, por avokatët e kreut të grupit demokrat refuzuan. Në këto kushte është caktuar që çështja të kalojë për gjykim.

Bardhi është paditur në lidhje me deklaratat dhe akuzat e tij për abuzime në miliona euro me procedurat e shitblerjes së energjisë. Çështja po shqyrtohet nga gjyqtarja Etleva Deda.