Firma “Kontakt” e Fatmir Bektashit, vijon prej javësh të reklamojë dhe të shesë hapësira me çmimin 1000 euro, vetëm për rezervim, në projektin vetëm në letër për betonizimin e zonës së Drilonit në Pogradec, ndërsa në Këshillin Kombëtar të Territorit nuk ka asnjë vendimmarrje për projektin e quajtur “Pyjet e Drilonit”.

Një përgjigje ekskluzive për Report Tv nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit konfirmon se Bektashi, i marrë i pandehur për korrupsion së bashku me Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin në aferën Partizani, jo vetëm që nuk e ka një leje ndërtimi por as leje zhvillimi apo çdo vendimmarrje tjetër.
“Në sistemin elektronik e-leje është depozituar aplikimi për Leje Ndërtimi me Nr. 1282 Protokolli, datë 08.02.2025 për objektin: “Pyjet e Drilonit, kompleks me godina banimi 1-9 dhe 12 kate mbitokë dhe 1 kat nëntokë, me zhvillues shoqërinë “KONTAKT” SHPK, me vendndodhje në Bashkinë Pogradec”. Aktualisht, nuk ka ende një vendimmarrje nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) për këtë aplikim”, thotë AZHT për Report Tv.

AZHT thotë për Report Tv se aplikimi mund të refuzohet nëse kompania nuk plotëson kushtet e përcaktuara nga neni 15 i VKM-së për dhënien e lejes së ndërtimit.
“Theksojmë se në rast se zhvilluesi nuk plotëson kriteret ligjore të parashikuara në VKM-në e sipërcituar si dhe aktet e tjera ligjore në fuqi, aplikimi refuzohet”, thotë AZHT për Report Tv.

Pra, për këtë hapësirë toke, pamjet me dron të së cilës Report Tv ka siguruar, dhe që Bektashi i ka vendosur një tabelë identifikuese, “Kontakt” vijon të shesë pa leje, ndërsa askush në Pogradec nuk di asgjë për këtë projekt.

Në parlamentin lokal të Pogradecit debatet kanë qenë të forta për këtë zhvillim që rrezikon perlën e qytetit juglindor.

Këshilltarë, aktivistë por edhe ekspert kanë kundërshtuar ndërtimin e pallateve. Është kërkuar që këshilli bashkiak i Pogradecit të kërkojë informacion nga institucionet përgjegjëse dhe të ndikojë që vendimmarrja të mos realizohet.

Kompania “Kontakt” e Fatmir Bektashit, ortak i dhëndrit të Berishës Jamarbër Malltezi, ka projektuar një kompleks me pallate deri 12-katëshe në parkun e Drilonit në Pogradec.

Projekti ndërtimor nuk ka marrë asnjë kritikë as nga Partia Demokratike e Sali Berishës./Shqiptarja