Gjykata Kushtetuese rrëzon SPAK për rastin e gazetarit Elton Qyno. Me një vendim unanim, Gjykata Kushtetuese ka vendosur shfuqizimin e vendimeve të gjykatave për sekuestrot e materialeve të gazetarit Qyno dhe në fund asgjësimin e të gjitha materialeve.
Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata konstatoi se ndërhyrja në të dhënat kompjuterike të gazetarit përbënte një ndërhyrje disproporcionale në të drejtën kushtetuese të shprehjes, e garantuar nga neni 22 i Kushtetutës dhe neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata Kushtetuese vlerëson se urdhërimi dhe detyrimi i gazetarit për të treguar burimet e tij të informacionit është me natyrë antikushtetuese dhe shkelje e të drejtave që i garantohen nga ligji.
“Mbrojtja e burimeve të gazetarëve është një prej garancive kryesore të lirisë së medias, si pjesë e lirisë kushtetuese të shprehjes, ndaj urdhërimi i gazetarit për të zbuluar burimet e tij mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, përveçse kur ekziston një bazë e qartë ligjore që e autorizon atë dhe një interes publik mbizotërues që e dikton atë. E drejta e gazetarit për të mos zbuluar burimet e tyre nuk është privilegj, pasi në thelb mbron jo vetëm lirinë e medias, në kuadër të lirisë së shprehjes, por edhe të drejtën e informimit të publikut”, theksohet në vendimin e shpallur sot nga institucioni më i lartë i drejtësisë.
Ky verdikt i marrë formë unanime, është marrë i bazuar në themelin e çështjes dhe analizimin e pretendimeve të cenimit të lirisë dhe shprehjes, të garantuara nga neni 22 i Kushtetutës dhe neni 10 i KEDNJ-së.
Elton Qyno kishte depozituar ankimim me objekt “shfuqizimin e vendimeve gjyqësore në lidhje me kontrollin personal, të banesës dhe vendit të punës si dhe sekuestrimin e sendeve dhe të dhënave kompjuterike”.
Kushtetuesja i dha të drejtë organit të akuzës në kryerjen e hetimeve për çështjen, por konstaton se kishte tejkaluar me shkelje të ligjit veprimet deri në të dhënat personale apo detyrimin e tij për të treguar burimet.
Gjykata arriti në përfundimin se vendimet gjyqësore të cilat kanë lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike kanë ndërhyrë në lirinë e shprehjes së kërkuesit. Për sa i përket kritereve të kufizimit, Gjykata duke zbatuar testin e nenit 17 të Kushtetutës, vlerësoi se “ndërhyrja është bërë me ligj dhe për një interes publik”.
Por aty konstatohet se as gjykata dhe as prokuroria në vendimet e të gjitha shkallëve, nuk shpjegojnë nëse janë realizuar apo ezauruar të gjitha teknikat apo rrugët ligjore dhe juridike për përfitimin e të dhënave, pra që të rezlizoheshin në mënyra të tjera, përveç detyrimit të gazetarit për burimet.
Një tjetër përfundim dhe vendim ka qenë urdhërimi i shkatërrimit të të gjitha të dhënave kompjuterike apo telefonike të përftuara deri tani nga prokuroria për çështjen hetimore, pasi konsiderohen të paligjshme.
“Po kështu, Gjykata vendosi edhe pranimin e kërkesës për asgjësimin e të gjitha të dhënave kompjuterike të sekuestruara me vendimet e mësipërme të shfuqizuara. Në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës për jetë private, Gjykata vlerësoi të mos ndalej, për sa kohë ajo gjeti shkelje në lirinë e shprehjes së kërkuesit, duke shfuqizuar vendimet e mësipërme”, përfundon Kushtetuesja në vendimin e saj të bërë publik sot.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar edhe vetë gazetari Elton Qyno, duke e cilësuar si pozitiv dhe vuri theksin tek unanimiteti i tij, 8 me 0 në favor të medias.
“Është një vendim që sjell optimizëm në media, pavarësisht se betejën më ra mua që ta zhvilloja përgjatë dy viteve. Gjykata Kushtetuese u impenjua maksimalisht morën praktikat jo vetëm të Strasburgut, por edhe të Gjykatave angleze dhe vendeve të tjera të BE. Vendosën me unanimitet, 8 me zero, në favorin e medias, jo në favorin e Elton Qynos, se Elton Qyno nuk e bëri për hesapet e veta, por për të mbrojtur një kauzë që të tilla gjëra të mos ndodhin nesër, pasnesër, ku të rrëmbehet gazetari në mes të rrugës apo në mes të kafenesë. Më pas t’i bëhet kontrolli banesës, të kontrollohet fizikisht dhe të trajtohet një gazetar që ka mbuluar për 20 vite kronikën e zezë, të trajtohet si kontingjent krimi”, u shpreh ai mes të tjerash.
Sipas SPAK, materialet e publikuara në media, përputheshin me komunikimet e Nuredin Dumanit me persona të tjerë në aplikacionin “Sky” dhe për këtë arsye, Elton Qynos i është kërkuar të tregonte sesi i kishte siguruar materiale të tilla që ishin pjesë e akteve hetimore. SPAK i ka kthyer telefonin e të birit, por jo telefonin e tij.
Gazetarit Elton Qyno iu vendos masa detyrim paraqitjeje nën akuzën për korrupsion pasiv në sektorin privat në dosjen që Prokuroria po heton ndaj grupit të Suel Çelës, të shumëkërkuarit të drejtësisë, që me paratë e trafikut të kokainës, kishte shtrirë ndikimin në drejtësi dhe media. Më 14 mars, Apeli i GJKKO e hoqi masën ndaj gazetarit Qyno.
Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
“Sot në datën 22.04.2025, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen me kërkues Elton Qyno me objekt shfuqizimin e vendimeve gjyqësore në lidhje me kontrollin personal, të banesës dhe vendit të punës si dhe sekuestrimin e sendeve dhe të dhënave kompjuterike.
Gjykata pasi analizoi kriteret paraprake të kërkesës arriti në përfundimin se kërkuesi legjitimohet dhe ka shteruar mjetet juridike në dispozicion vetëm për kundërshtimin e vendimit që ka lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike i cili është kundërshtuar nga kërkuesi deri në Gjykatën e Lartë. Sa i takon lirisë personale, Gjykata konstatoi se ky pretendim nuk ka lidhje me vendimet për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike. Në lidhje me pretendimet e tjera, Gjykata vlerësoi se kërkuesi nuk ka shteruar mjetet juridike në dispozicion.
Për sa i takon themelit të çështjes, Gjykata u ndal në analizën e pretendimit për cenimin e lirisë së shprehjes të garantuar nga neni 22 i Kushtetutës dhe neni 10 i KEDNJ-së. Lidhur me këtë pretendim, Gjykata arriti në përfundimin se liria e shprehjes përfshin, ndër të tjera, edhe lirinë e shtypit. E drejta e gazetarit për të ruajtur burimin e informacionit dhe për të mos e zbuluar atë është një nga kushtet e lirisë së medias. Mbrojtja e burimeve të gazetarëve është një prej garancive kryesore të lirisë së medias, si pjesë e lirisë kushtetuese të shprehjes, ndaj urdhërimi i gazetarit për të zbuluar burimet e tij mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, përveçse kur ekziston një bazë e qartë ligjore që e autorizon atë dhe një interes publik mbizotërues që e dikton atë. E drejta e gazetarit për të mos zbuluar burimet e tyre nuk është privilegj, pasi në thelb mbron jo vetëm lirinë e medias, në kuadër të lirisë së shprehjes, por edhe të drejtën e informimit të publikut.
Gjykata arriti në përfundimin se vendimet gjyqësore të cilat kanë lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike kanë ndërhyrë në lirinë e shprehjes së kërkuesit. Për sa i përket kritereve të kufizimit, Gjykata duke zbatuar testin e nenit 17 të Kushtetutës, vlerësoi se ndërhyrja është bërë me ligj dhe për një interes publik. Megjithatë në kuadër edhe të standardeve të vendosura nga GJEDNJ-ja, Gjykata vlerësoi se ndërhyrja në lirinë e shprehjes nuk është proporcionale. Në këtë kuptim, Gjykata vlerësoi gjithashtu se gjykatat e zakonshme nuk kanë arsyetuar në lidhje me faktin se përse marrja e të dhënave të nevojshme për hetimin mund të realizohej vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit të gazetarit, si mjet i fundit si edhe përse nuk ekzistonin mjete të tjera alternative për të arritur të njëjtin qëllim. Po në këtë drejtim, gjykatat nuk kanë arsyetuar në lidhje me urgjencën në sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të kërkuesit. Për këto arsye, Gjykata vendosi, njëzëri, shfuqizimin e vendimeve për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike (vendimin e GJKKO-së së Shkallës së Parë nr. 501, datë 13.12.2023 dhe vendimet e gjykatave më të larta që e kanë lënë në fuqi atë).
Po kështu, Gjykata vendosi edhe pranimin e kërkesës për asgjësimin e të gjitha të dhënave kompjuterike të sekuestruara me vendimet e mësipërme të shfuqizuara.
Në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës për jetë private Gjykata vlerësoi të mos ndalej, për sa kohë ajo gjeti shkelje në lirinë e shprehjes së kërkuesit, duke shfuqizuar vendimet e mësipërme”.