Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpallur çeljen e procedurës për riemërimin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke ftuar të gjithë kandidatët e interesuar që plotësojnë kriteret ligjore të aplikojnë brenda datës 7 maj 2025.

Në përputhje me ligjin nr. 95/2016 dhe ligjin nr. 97/2016, me urdhër të Drejtuesit të SPAK, z. Altin Dumani, është ngritur Komisioni i Përzgjedhjes së Drejtorit të BKH-së, i përbërë nga z. Dumani dhe prokurorët e posaçëm z. Arben Kraja dhe z. Behar Dibra.

Sipas njoftimit zyrtar, të drejtën për të kandiduar e kanë vetëm shtetasit shqiptarë që plotësojnë një sërë kriteresh të rrepta profesionale, etike dhe ligjore. Ndër to përfshihen diploma në drejtësi ose polici, përvojë në fushën e drejtësisë penale për të paktën pesë vjet, integritet i lartë moral, mungesë përfshirjeje në funksione politike gjatë dhjetë viteve të fundit, si dhe kalimi me sukses i testit të poligrafit.

Aplikimi duhet të shoqërohet me dokumentacionin përkatës, të dorëzuar në një zarf të mbyllur pranë Sektorit të Arkiv-Protokollit të Prokurorisë së Posaçme.

Procesi i riemërimit do të zhvillohet në shtatë faza të njëpasnjëshme: shqyrtimi i aplikimit, testi i arsyetimit logjik, kontrolli mjekësor, testi fizik, eseja me shkrim, intervista dhe verifikimi i figurës, përfshirë deklarimin e aseteve dhe testin e poligrafit.

Në fund të procesit, Komisioni vendos nëse kandidati i propozuar i rekomandohet ose jo Këshillit të Lartë të Prokurorisë për riemërim në krye të BKH-së.

Kjo lëvizje vjen në një moment të rëndësishëm për institucionet e drejtësisë në vend, ku roli i Byrosë Kombëtare të Hetimit është kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.