Gjatë konferencës së katërt ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, të mbajtur sot në Luksemburg, Komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, dha një mesazh të qartë dhe optimist për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Në prani të Kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesve të lartë të BE-së, Kos theksoi se Shqipëria është më pranë se kurrë më parë objektivit për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Mesazhi im për qytetarët shqiptarë është shumë i qartë: E ardhmja e Shqipërisë është padyshim në BE, nuk ka dyshim për këtë. Sot ne jemi më pranë arritjes së këtij objektivi se kurrë ndonjëherë,” u shpreh Komisionerja Kos.

Konferenca ndërqeveritare përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa zyrtarët e të dyja palëve ritheksuan angazhimin për përparim konkret në reformat kyçe.