Deri më tani, SPAK ka marrë në pyetje si deklarues 72 shtetas për rrjedhjen e të dhënave të hakeruara nga tre email-e prokurorësh dhe që i dyshuari Arnold Rrokaj ia shpërndau të arrestuarit tjetër, Zambak Gjoni, një ish-zyrtar i burgjeve në vend.

Teksa të dy janë lënë në burg, Apeli pritet të shqyrtojë më 22 prill kërkesën e tyre, në një proces me dyer të mbyllura, ku sërish pritet të shqyrtohet urdhri i SPAK për mos publikim të të dhënave.

Të dy kërkojnë të lirohen, sepse thonë që vepra nuk është e rrezikshme dhe, po ashtu, ata nuk kanë rrezikshmëri. Diçka e tillë hidhet poshtë nga SPAK.

Top Channel disponon të dhëna se cilat janë informacionet e tërhequra nga email-et e tre prokurorëve, që dyshohet se nuk e kishin rinovuar password-in e email-eve, ndërkohë që kjo kleçkë është shfrytëzuar nga Rrokaj, një specialist pranë IMT, që besohet se mes të tjerash ka tërhequr edhe një dosje për evazion fiskal ndaj shtetasit Klodjan Allajbeu dhe dy të tjera ndaj dy ish-funksionarëve, nën hetim për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Menjëherë sapo i ka përftuar këto të dhëna, Rrokaj ia ka përcjellë Gjonit duke i thënë “shiko çfarë gjeta”, ndërsa kur janë pyetur nga grupi i hetimit, Rrokaj ka këmbëngulur se hakeroi email-et nga kurioziteti. Kurse Zambak Gjoni ka insistuar se nuk e dinte rëndësinë e materialeve hetimore, një version që është hedhur poshtë nga SPAK, për sa kohë Gjoni është jurist dhe mban licencën e avokatit.

Kur hetimet po zhvillohen për tre vepra si: zbulimi i akteve sekrete dhe ndërhyrje në sistemin kompjuterik, secili nga dy të dyshuarit është shfaqur i penduar para gjykatës. Nuk dihet ende nëse ata do të flasin më tej.

SPAK po heton edhe për grup kriminal, për të zbuluar kush gjendet pas dy të arrestuarve.