Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë me tone më të personalizuara rreth procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, gjatë një bisede në podkastin e tij “Flasim”. Rama rrëfeu tensionin fillestar dhe pasiguritë që kishte lidhur me pritshmëritë e vendeve anëtare të BE-së për administratën shqiptare, duke theksuar se frikësohej nga një imazh negativ që mund të krijohej për vendin.
“Imagjino sikur të fillojë të fusë ujë varka, të fillojnë varjet e turinjve dhe pastaj pëshpërimat, pastaj të bëhen shurdhuese, që ‘këta nuk janë gati’,” – tha Rama, duke përshkruar stresin e përjetuar në fazat e para të procesit.
Por sipas tij, ajo që ndodhi më pas ishte një “muzikë tjetër”, pasi liderë të rëndësishëm europianë nisën të japin sinjale pozitive për performancën e administratës shqiptare në procesin e screening-ut.