Nis takimi i kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Milano, i cili po zhvillohet në Centro Congressi. Në nisje të fjalës së tij, kryeministri Rama mori një fanellë me numrin 5 nga futbollisti italian Alessio Tacchinardi

“Hera e parë në historinë tonë të zgjedhjeve që edhe ju dhe të gjithë të tjerët do të kenë mundësi të zgjedhin pa pasure nevojë të vijnë në Shqipëri. Jemi ne që vijmë tek ju dhe më vjen mirë që edhe këtë siç u zotuam në krye të herës e bëmë realitet dhe tani çdo shqiptar që do të shprehet me votën e vet për drejtimin e vendit ka mundësi ta bëjë pa lëvizur nga vendbanimi i vet kudo ku është”, tha Rama.

Ky është takimi i dytë në Milano i krysocialistit në kuadër të turit të diasporës. Dy javë më parë, ai zhvilloi dy takime me emigrantët në Greqi, fillimisht në Kretë dhe më pas në Athinë.

Më herët, në kuadër të këtij turi, kreu i qeverisë ka zhvilluar takime me shqiptarët edhe në Selanik dhe Athinë, Düsseldorf të Gjermanisë, në Nju Jork të SHBA, si dhe në Londër të Anglisë.