Papa Françesku është shfaqur papritur në Sheshin Shën Pjetri për Jubileun e të sëmurëve. Bergoglio ka mbërritur në pragun e bazilikës vatikanase, në karrocë, nga fundi i meshës. Papa kishte tubat e oksigjenit.
“Një të diel të mirë për të gjithë”, tha Françesku, “shumë faleminderit”.
Është hera e dytë që Bergoglio shfaqet në publik pas daljes nga spitali Polikliniko Gemelli dy javë më parë.
Karrocën e Papës e shtynin sekretari i tij Don Juan Cruz Villalón dhe asistenti i dhomës Piergiorgio Zanetti.
Papa Françesku u soll përpara altarit në prag, përshëndeti me duar dhe pas përshëndetjes së shkurtër u largua. Në total, paraqitja e tij zgjati vetëm disa minuta.
Datat e shtrimit në spital
Papa Françesku u shtrua në spital të premten më 14 shkurt dhe u lirua nga Poliklinika Gemelli të dielën më 23 mars. Gjatë gjithë periudhës së qëndrimit në spital, nuk u shfaq kurrë në dritaren e katit të dhjetë të spitalit romak, dhe për pesë javë me radhë, të dielave, Vatikani shpërndau tekstin që ai kishte përgatitur ose miratuar për Engjëllin e mesditës.
Gjatë 38 ditëve, Bergoglio u shfaq dy herë: me një mesazh zanor të shpërndarë mbrëmjen e 6 marsit në Sheshin Shën Pjetri me rastin e rruzares që gjatë atyre javëve Kuria romake e mbajti për të lutur për shëndetin e tij, dhe më pas përmes një fotografie të publikuar më 16 mars nga zyra e shtypit e Vatikanit.
Françesku u shfaq sërish në publik, dukshëm i lodhur, ditën që doli nga spitali Gemelli, nga një tarracë në katin e pestë të poliklinikës, pak pas orarit të Engjëllit, dhe menjëherë para se të kthehej në Vatikan. Që prej asaj dite nuk është parë më, pasi po kalon kohën e rikuperimit brenda në Shtëpinë Shën Marta. Sot, shfaqja e re në publik.
Mesha në Sheshin Shën Pjetri
“Vetëm pak metra larg nesh, Papa nga dhoma e tij në Santa Marta është veçanërisht afër nesh dhe po merr pjesë si shumë persona të dobët në këtë eukaristi të shenjtë përmes televizorit”, tha në fillim të meshës monsinjor Rino Fisichella, i cili kryeson meshën për Jubileun e të sëmurëve dhe botës së shëndetësisë në Sheshin Shën Pjetri. Sheshi e priti njoftimin me duartrokitje.
“Jam veçanërisht i lumtur dhe i nderuar të ofroj zërin tim për të lexuar homelinë që ai ka përgatitur për këtë rast”, tha Fisichella përpara se të lexonte homelinë e përgatitur nga Papa.
Fjalët e Françeskut
“Sigurisht që sëmundja është një nga provat më të vështira dhe më të ashpra të jetës, në të cilën prekim me dorë sa të brishtë jemi”, janë fjalët e Papa Françeskut në homeli. Sipas Papës, “ajo mund të na bëjë të ndjehemi si populli në mërgim, ose si gruaja e Ungjillit: pa shpresë për të ardhmen. Por nuk është kështu. Edhe në këto momente, Zoti nuk na lë vetëm dhe, nëse i dorëzohemi Atij, pikërisht aty ku na mungojnë forcat tona, mund të përjetojmë ngushëllimin e pranisë së Tij”.
“Pa pendesë dhe pa dëshpërim”
“Me ju”, shkruan Papa, duke iu drejtuar “të dashur vëllezër dhe motra të sëmurë”, “në këtë moment të jetës sime ndaj shumë gjëra: përvojën e sëmundjes, të ndjeshmërisë ndaj dobësisë, të varësisë nga të tjerët për shumë gjëra, të nevojës për mbështetje. Nuk është gjithmonë e lehtë, por është një shkollë ku mësojmë çdo ditë të duam dhe të lejojmë të na duan, pa pretenduar dhe pa refuzuar, pa pendesë dhe pa dëshpërim, mirënjohës ndaj Zotit dhe vëllezërve për të mirën që marrim, të dorëzuar dhe plot besim për atë që ende duhet të vijë”.
“Të dashur, mos i largojmë ata që janë të brishtë nga jeta jonë, siç për fat të keq ndodh sot nga një lloj mentaliteti, mos e përjashtojmë dhimbjen nga ambientet tona”, është thirrja e Papa Françeskut. “Ta bëjmë më mirë një rast për të rritur së bashku, për të kultivuar shpresën falë dashurisë që Zoti e ka derdhur i pari në zemrat tona dhe që, përtej çdo gjëje, është ajo që mbetet përgjithmonë”, thekson Papa. “Të përballosh së bashku vuajtjen na bën më njerëzorë dhe ndarja e dhimbjes është një etapë e rëndësishme në çdo rrugëtim shenjtërie.”/ La Repubblica