Në një intervistë të dhënë për “Le Monde”, Komisionerja e re për Zgjerim, Marta Kos, beson se BE-ja me mirëseardhjen e anëtarëve të rinj do të forcohet dhe do të sigurojë më mirë sigurinë e saj.
“Zgjerimi është një “imperativ gjeopolitik për Bashkimin Evropian [BE]”, tha Kos, komisionerja e re përgjegjëse për procesin e pranimit të 10 vendeve që aplikojnë për hyrje në BE.
“Midis pushtimit rus të Ukrainës, ndryshimit të qëndrimit të Shteteve të Bashkuara ndaj Kontinentit të Vjetër dhe ambicieve të Kinës në Ballkan, “ne duhet të ecim përpara pa humbur një kandidat, sepse kjo mund të na dobësojë”, shton ajo.
Dhe më tej konstaton se:
“Për herë të parë, ne po përballemi me forca që duan të na shohin të dështojmë, ose që po kryejnë sulme hibride kundër kandidatëve të caktuar si Moldavia. Ne duhet të ruajmë aftësinë tonë për të vepruar dhe për të garantuar sigurinë tonë”, tha politikania sllovene dhe zyrtarja e lartë e BE-së për ‘Le Monde’.
Në vitin 1979, kujton ajo, Simone Veil, asokohe presidentja e re e Parlamentit Evropian, konsideronte se shtetet evropiane “janë përballur me tre sfida të mëdha: atë të paqes, atë të lirisë, atë të mirëqenies”.
“Dhe duket, shtoi ajo, se vetëm dimensioni evropian është në gjendje t’i aftësojë ata të përballen me këto sfida. Ndërsa, që nga vitet 1990, çështja e mirëqenies dhe prosperitetit ka mbështetur valët e ndryshme të zgjerimit të BE-së, që nga viti 2022 dhe pushtimi i Ukrainës, është çështja e sigurisë, e për rrjedhojë është bërë sërish një çështje e paqes, dhe si rrjedhojë e çështjes evropiane”, shprehet Kos mes të tjerash.
Edhe gjatë vizitës së fundit në Tiranë, Kos pati takime me zyrtarë të lartë të shtetit dhe ofroi mbështetjen e BE-së për rrugën e integrimit të Shqipërisë në Union, nëpërmjet grupkapitujve, realizimit të negociatave deri më 2027 dhe anëtarësimit më 2030 si afat i vendosur.