Presidenti Bajram Begaj uroi sot besimtarët e krishterë shqiptarë me rastin e festës së Pashkës, duke përcjellë një mesazh të mbushur me shpresë, paqe dhe solidaritet.

“Gëzuar Pashkën të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë! Ky kremtim i shpresës dhe i ringjalljes është dëshmia se jeta dhe mirësia triumfojnë mbi vdekjen dhe të keqen, se drita e mund errësirën, se virtytet dhe vlerat mposhtin ligësinë dhe antivlerat,” shkruan Presidenti në urimin e publikuar në rrjetet sociale.

Kreu i shtetit ka përfshirë në urimin e tij të gjithë besimtarët ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë, duke u dëshiruar atyre një festë të ndriçuar nga drita dhe e mbushur me bekime familjare.