Volkswagen of America dhe Uber kanë njoftuar plane për të nisur një shërbim komercial robotaksi duke përdorur furgonë elektrikë autonomë VW ID. Buzz në disa qytete të SHBA-së gjatë dekadës së ardhshme. Shërbimi do të fillojë në Los Angeles në fund të vitit 2026, fillimisht me shoferë sigurie në timon. Udhëtimet pa shofer priten të nisin në vitin 2027, pas miratimit rregullator. Megjithëse më parë Volkswagen kishte hezituar të hynte në tregun e shërbimeve të transportit me porosi, tani planifikon të furnizojë automjete vetë-drejtuese dhe softuer për menaxhimin e flotës, ndërsa Uber do të merret me operimin.

Ky hap është pjesë e strategjisë më të gjerë të Uber-it, që përfshin bashkëpunime me mbi 14 kompani të teknologjisë autonome. Volkswagen prezantoi së fundmi tre automjete të reja koncepti, ID, në panairin Auto Shangai; AURA, ID. ERA dhe ID. EVO. Këto automjete, të krijuara në bashkëpunim me partnerët kinezë, janë pjesë e strategjisë ambicioze “në Kinë, për Kinën” që parashikon nxjerrjen në treg të më shumë se 30 modeleve të reja deri në vitin 2027, duke përfshirë 20 modele NEV (New Energy Vehicle). Thomas Schäfer, CEO i markës Volkswagen, theksoi rëndësinë e këtyre risive.

“Këto tri automjete konceptuale janë rezultati i dukshëm i strategjisë sonë “në Kinë, për Kinën”. Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të qëndruar në një pozicion udhëheqës midis prodhuesve të huaj të automjeteve në Kinë”-shtoi Schäfer. Shitjet globale të grupit Volkswagen janë rritur në tremujorin e parë, pasi prodhuesi gjerman i automjeteve ka përfituar nga kërkesa më e lartë për automjetet e tij elektrike. Dërgesat janë rritur me 1,4 për qind në 2,13 milionë automjete, ku një rol të rëndësishëm ka luajtur rritja prej 3 për qind në Evropën Perëndimore dhe 4 për qind në Amerikën e Veriut. Grupi VW ende po mbetet pas në Kinë, ku shitjet e tij kanë rënë me 7 për qind përkundër faktit se prodhuesi i automjeteve ka ende një pjesëmarrje të fortë në tregun e motorëve me djegie të brendshme prej 22 për qind.