Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Marta Kos, Komisionerja Evropiane për Zgjerim, dhe Radosław Sikorski, Ministër i Punëve të Jashtme të Polonisë, kryeministri Rama tha se Shqipëria do të vazhdojë të punojë me përkushtim për mbylljen e negociatave me BE deri në vitin 2027.
“Dua të bashkohem me ju në shprehjen e ngushëllimeve për miqtë ukrainas. Mbështes çdo fjalë që në mënyrë kaq elokuente thatë për atë që ka ndodhur, jo shumë larg nga këtu, në tokën europiane, si një krim i pamohueshëm lufte.
Gjashtë muaj më parë qëndroja këtu në këtë sallë, kur çelëm bisedimet për grupkapitullin 1, dhe u kthyem sërish për grupkapitullin 6, dhe sot jemi këtu për të ecur përpara me grupkapitullin 2.
Dua të shpreh fjalë mirënjohjeje për presidencën polake dhe angazhimin e palëkundur për ta çuar përpara këtë proces. Jemi mirënjohës ndaj shteteve anëtare të BE-së për të realizuar këtë gjë në një mënyrë pa pengesa, si diçka që për ne është habitëse duke pasur parasysh se prej nga vijmë.
Falënderimet tona shkojnë edhe për Komisionerin Evropian dhe për Marta Kos, që siç e thashë dikur, thyente rekorde duke çarë ujin dhe u bë kampione e vendit të saj, ndërsa tashmë është bërë kronometri i vendeve tona që mat ritmin dhe siguron që çdo lëvizje ta çojmë përpara.
Me Martën kemi rënë dakord për një agjendë ambicioze. Po presim me padurim që të sigurohemi që të gjithë grupkapitujt të jenë çelur brenda vitit 2027, duke vendosur vendosmërinë dhe pasionin tonë të plotë për të arritur këtë objektiv. Jam i sigurt që të dy miqtë e mi të dashur, dhe shumë prej jush, e kanë dëgjuar këtë, por për Shqipërinë anëtarësimi në BE është më tepër se një ambicie politike – është një zgjidhje ekzistenciale, një çështje jete”, – tha Rama.
Sikorski tha se grupkapitulli i hapur sot është jetik për integrimin ekonomik të Shqipërisë në BE dhe përgëzoi vendin për përkushtimin e saj në rrugën drejt familjes së madhe europiane.
“Kapitujt që hapëm sot janë jetikë për integrimin ekonomik të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Reformat e nevojshme do të çojnë në përafrim ekonomik me BE-në. Përgëzojmë qeverinë Rama për përpjekjet në rrugën drejt BE-së. Dua të theksoj faktin që shumica e popullit shqiptar mbështet këtë rrugë drejt Bashkimit Evropian. Përgëzoj Shqipërinë që është një partnere e besueshme në fushën e sigurisë, si aleate e NATO-s, dhe për mbështetjen ndaj Ukrainës. BE-ja është e ardhmja e mirë, e sigurt dhe e begatë, të cilën e kemi përjetuar në Poloni që prej vitit 2004”, – tha Sikorski.