Gjatë një takimi me studentë dhe pedagogë në Vlorë këtë të dielë, kryesocialisti Edi Rama u zotua se brenda 2030 Qendra Spitalore Univesitare në Tiranë do të bëhet një qendër ekselence në fushën e mjekësisë.

“Një nga objektivat tona të mbështetjes në punë të bërë, jo në fjalë, është që në këtë 5-vjeçar t’i japim vendit një mundësi të re përsa i përket shërbimit shëndetësor, duke zgjeruar kapacitetet shëndetësore, duke bërë nga ato shërbime që nuk bëhen jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, dhe pastaj shkojmë në vende të tjera.

Kemi në plan të ndërtojmë 2 apo 3 partneritete për QSUNT-në dhe ta vëmë QSUNT-në deri në 2030 qendër ekselence edhe në rajon, plani është synimi i qartë”,-tha Rama.

“Duam të bëjmë një binjakëzim, të bashkojmë universitetin e mjekësisë me një universitet ndër më të mirët e Europës, që do të thotë që universiteti ynë i mjekësisë në Tiranë të jetë me të njëjtat standarde dhe me të njëjtën vlerë diplome me universitetin që është në BE”,-tha Rama.

“Duam paralelisht të ndërtojmë një spital tjetër, një spital të nivelit më të lartë, spital publik, jemi duke punuar për këtë me një skemë partneriteti me një vend mik, për të krijuar kushtet që në dekadën e ardhshme, në fillim të dekadës së ardhshme, askush nuk mund të mos ketë asgjë që këtu nuk e merr dot që e gjen në Turqi ose Itali.

Madje që Shqipëria atëherë bëhet pikë referimi në këtë pikëpamje në të gjithë rajonin, të vijnë këtu për t’u kuruar. Shumë shpejt do ta materializojmë këtë”,-tha Rama.