Një ditë para se të hapet zyrtarisht fushata elektorale, Edi Rama nuk hezitoi të bëjë parashikime të rezultatit final. Numrin e deputetëve që mendon se do të ketë në Parlamentin e ardhshëm do ta hedhë e zeza mbi të bardhë përsëri nga lartësitë e Vlorës, ku katër vite më parë firmosi atë që u quajt Memorandumi i Kuçit.

Në 2021 mori 4 deputetë më pak se 78 mandatet e parashikuara, ndaj këtë herë preferon të qëndrojë me këmbë në tokë.

“Do fitosh 77deputetë. Nuk e dimë atë mund të jenë edhe më shumë, kijeni parasysh. Nuk e di për atë, do ta shkruaj në kuç atje te ai lokali ku herën e kaluar kam lënë rezultatin, do shkoj prapë e do shkruaj rezultatin e 11 majit.”

Edi Rama ka thirrur të shtunën socialistët në sheshin “Skëndërbej” në Tiranë për të bërë hapjen e fushatës, ndërsa të premten do të ketë takime në qarqe me gratë dhe vajzat socialiste.

“Nesër do ta nisim fushatën zyrtare me një cikël takimesh që do të zhvillohen në të njëjtën kohë dhe natyrisht që në këtë cikël takimesh që do të zhvillohen në të njëjtën kohë, ne do të jemi së bashku me fuqinë tonë kryesore që janë gratë dhe vajzat. Ndërkohë pasnesër në mesditë në orën 12, nga të 12 qarqet tek të 12 yjet e Evropës në Sheshin “Skënderbej”, do të mblidhemi për një takim politiko-festiv.”