Me një pritje entuziaste, duartrokitje dhe këngën e fushatës elektorale të Partisë Socialiste në sfond, Edi Rama u mirëprit nga emigrantët shqiptarë në Milano, në kuadër të turit të tij elektoral në diasporë.

Takimi nisi me një moment surprizë, kur në skenë u shfaq ish-mesfushori i famshëm i kombëtares italiane dhe Juventusit, Alessio Tacchinardi. Ai i dorëzoi kryeministrit një fanellë të Juventusit me numrin 5, duke i kujtuar se është tifoz i skuadrës torineze:
“E di që je tifoz i Juventusit, dhe kjo fanellë është për ty – që të të sjellë fat në zgjedhje,” tha Tacchinardi.

Rama e nisi fjalën e tij me theks të fortë te zgjedhjet e 11 majit, të cilat i cilësoi si një mundësi historike për të ndryshuar drejtimin e Shqipërisë.

“Për herë të parë është në dorën tonë fati evropian i Shqipërisë. Ky është një shans për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, pa dallim partie, për të ndryshuar përgjithmonë rrjedhën e historisë dhe për të ulur Shqipërinë si një zonjë në tryezën e Bashkimit Evropian,” u shpreh ai.

Sipas Ramës, çdo qytetar ka mundësinë që përmes votës së tij të bëjë histori.
“Një votë për të bërë histori dhe për të ndryshuar kahen e historisë, dhe për të shënuar veten në histori secili dhe secila që do ta investojnë votën për atë që ne së bashku duam të arrijmë,” tha kryeministri.

Me ironi dhe metafora thumbuese, Rama nuk la pa sulmuar opozitën, duke thënë se:
“11 Maji do të jetë fundi i historisë së Shqipërisë jashtë Evropës, dhe këtë shans nuk duhet ta humbasim as për mustaqet e Kujtim Gjuzit dhe as për hallin personal të bufit të kënetës që fshihet nën mustaqet e tij.”

Ai theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian është çelësi për të garantuar një drejtësi të vërtetë dhe të pavarur:
“Vetëm ne mund ta mbrojmë drejtësinë nga ofensiva e bufit dhe mushkonjave që përbetohen se do ta shkrijnë SPAK-un. E vërteta është se ata më 12 maj thjesht dhe vetëm do prezantohen me Noc Rrokun.”

Rama i bëri thirrje edhe demokratëve që të tejkalojnë ngjyrat partiake dhe të reflektojnë për të ardhmen e vendit. Ai u ndal tek procesi i primareve në PD, të cilin e ironizoi hapur:
“Dua t’u them të gjithë demokratëve: nuk ju mjafton ajo që ndodhi me primaret, ku bufi ju tha ‘vota juaj është ligj për mue’, dhe kush doli i pari në primare përfundoi në barkun e bufit? I kullufiti të gjithë. A thua se ju tha: dilni t’ju shoh njëherë kush ka shumë vota që ta ha. Çfarë doni më te këneta?”

Takimi në Milano ishte pjesë e turit të diasporës që Rama ka ndërmarrë në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit. Dy javë më parë, ai zhvilloi takime me emigrantët në Kretë dhe Athinë, ndërsa më herët ka qenë në Selanik, Düsseldorf, Nju Jork dhe Londër./LEXO.AL