Kryesocialisti Edi Rama gjatë një takimi me studentë dhe pedagogë në Vlorë theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, ndërsa tha se para se Partia Socialiste të fitonte qeverisjen qëndrore vendi ishte i ngjashëm me Afganistanin.

“Unë dua të fokusohem përgjigjen rreth BE-së, sepse e mendoj si për veten time: nëse nuk do isha në këtë detyrë dhe nuk do isha i detyruar që të mësoja, nuk do kisha idenë e kompleksitetit dhe dobishmërisë së atij procesi.

Unë e përdor herë pas here si krahasim që Shqipëria në aspektin e mbrapambetjes në raport me të tjerët ishte shumë e ngjashme me Afganistanin, dhe faktikisht Shqipëria sot është në një nivel tjetër dhe është pranë realizimi i një ëndrre të vjetër të përkatësisë europiane të saj, ndërsa Afganistani u kthye përsëri te talebanët.

Dallimi është këtu: ata nuk e kanë mundësinë që kemi ne. Ne kemi mundësinë që të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian.

Nuk është çështje hyrja në BE, është rrugë, është hyrje dijesh për shtetbërje. Një sasi dije që transferohet nga BE drejt nesh në të gjithë sektorët dhe po të shikosh sot çfarë është procesi i negociatave, atëherë kupton se sa e pamundur do të ishte të arrinim edhe këtu ku kemi arritur, dhe më pas ku do arrijmë, po të mos e kishim këtë mundësi.

Procesi i negociatave është një dialog me dy palë që angazhojnë nga 1 mijë veta. Sepse procesi i prek të tëra, çdo gjë që lidhet me shtetin”,-tha Rama.