Kryesocialisti Edi Rama e nisi takimin me socialistët e Skraparit duke thënë se do të nisë punimet për rrugën Berat-Skrapar, një investim që do ta lidhë për vetëm 30 minuta qytetin e Beratit me kanionet e Skraparit. Sipas Ramës, projekti synon zhvillimin e turizmit, duke e lidhur Beratin me Përmetin dhe më pas me Janinën dhe Tiranën.
Një thumb pati dhe për Ilir Metën, nga vendlindja e tij, Skrapari kur tha se ‘bufi’ erdhi në pushtet për herë të dytë nga tradhtia brenda së majtës. Edhe pse nuk e përmendi me emër, Rama iu referua krijimit të LSI-së në vitin 2004, ndërkohë që Berisha u kthye në pushtet në vitin 2005.

“Në ‘92 populli shqiptar nuk kishte zgjidhje tjetër, pastaj ‘97 e dini, ndërsa në 2005 nuk ishte populli shqiptar, ishte përçarja brenda së majtës, tradhtia brenda së majtës e që e përmbysi rrugën dhe e solli bufin për herë të dytë, po buf për herë të tretë Shqipëria nuk merr më në krahë”, tha Rama.