Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, dhe zv.ministrja e MEK, Olta Manjani, ka prezantuar ditën e sotme strategjinë e punësimit dhe arritjet e sistemit ‘DUAL’, me objektiv zhvillimin e arsimit profesional. Fillimisht, zv.ministrja ka prezantuar përpjekjet e bëra, sipas saj, që nga viti 2014 për të ndikuar në rritjen e aftësimit për punë dhe forcimin e pagave, që në atë kohë mesatarisht shkonin 134 mijë lekë të vjetra. Sipas saj, ato ishin jo dinjitoze dhe nuk kishin sigurinë që kanë sot.

Nga ana tjetër, ministri Gonxhja ka nënvizuar se nga sistemi ‘DUAL’, një përqindje e mirë e të rinjve ka përfituar punësim me pagë të lartë dhe përmirësimet në sistem vijojnë.

Më tej ka vijuar Kryeministri Edi Rama, i cili e ka nisur me batuta takimin, duke sjellë në vëmendje praninë e një prej sipërmarrëseve të njohura, Arielës, në fushën e strategjisë ushtarake.

“Unë kam një mendim që dua ta ndaj me ju, që jeni nga ana tjetër e këtij sheshi. Unë vë një bast me këta dy që janë këtu nga dy krahët e mi, se sa nga ju duan të ikin tani nga i ftohti. Unë e fitoj bastin me diferencë shumë të thellë. Ndjesë për këtë orë të ditës dhe për këtë mot të çuditshëm në këtë orë të ditës.

Dua të them vetëm disa gjëra kyçe mbi situatën e punës në tërësi, dhe për mua është shumë optimiste që është një kthesë për të cilën ne jemi përpjekur për një kohë të gjatë dhe tanimë ajo është në dinamikën e vet. Kur hyra këtu, pashë Arielën që është në radhën e parë, e cila është themeluesja e një sipërmarrjeje shumë të guximshme, që në momentin e parë mund të jetë dukur si një aventurë. Përveç të atit të saj, nuk mendoj se dikush tjetër ka menduar se ishte normale. Jemi duke punuar me Arielën për të ndërtuar një partneritet në industrinë ushtarake.”-tha Rama

Nga ana tjetër, Rama tha se nëpërmjet kompanisë së Arjeta Pucës, Shqipëria do të hyjë në tregje të mëdha si një eksportuese e firmës ‘Made in Albania’.

“Ne po e krijojmë nga e para pas shumë periudhash të vështira që ju i dini. Edhe do ta bëj Shqipërinë, falë Arjetës, prodhimet do të jenë ‘Made in Albania’. Shqipëria do të eksportojë në tregje të tjera makina të gjeneratës së fundit, një gjë që s’mund të ndodhte dot vite më parë.

Zgjedhja jonë strategjike është që ta mbulojmë me prodhimin e këtushëm për të krijuar një front të ri punësimi dhe të mirëedukuar në profesionet e nevojshme për të pasur paga shumë të larta,” – vijoi Rama.