Kryesocialisti Edi Rama zhvilloi këtë të enjte një takim me të rinj dhe të reja të Belshit në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, ku u bëri thirrje që të mos nënvlerësojnë rëndësinë e votës së tyre në proceset zgjedhore, dhe veçanërisht më 11 maj.
“Populli është faktori kryesor në procesin demokratik kur i vjen dita për të votuar. Ju duhet ta vlerësoni rëndësinë që ka pjesëmarrja. Unë shumë vite më parë kam pasur një diskutim me dikë që më ka ndryshuar qasjen time ndaj votës. Kur i kam thënë dikujt që nuk kisha ndërmend të votoja, më tha diçka që më ka tronditur. Më tha: “Si mund ta thuash ti këtë, si mundesh ti të jesh indiferent ndaj miliona e miliona njerëzve në botë që do ëndërronin ta kishin mundësinë të votonin dhe nuk e kanë? Si mundesh ti që del nga një sistem që nuk ka pas demokraci të fyesh ata që kanë vdekur pa mundur të votojnë ndonjëherë, që e kanë pasur dëshirën për të votuar, të atillë që kanë përfunduar nëpër burgje?”,-tha Rama.

Kryesocialisti u kërkoi të rinjve që të jenë më vigjilentë për ngjarjet dhe zhvillimet rretherrotull dhe të mos bazohen në pasqyrimin e mediave dhe rrjeteve sociale, që sipas tij, përthyejnë realitetin.
“Ajo që duhet të kapërcejmë, ajo që ju duhet të kapërceni, është hendeku i madh mes jush aty ku jeni dhe Shqipërisë reale në tërësi, sepse mes jush dhe Shqipërisë reale është vendosur një mur i madh me zhgaravina, të ekraneve, portaleve e rrjeteve sociale, ku duhet të kesh shumë durim të gjesh gjërat që lidhen me gjërat reale, jetën reale.
Sot një pjesë e popullsisë që ushqehet me ato zhgaravina, mendon se sot në Shqipëri nuk ka ujë akoma, se uji është sfidë e madhe e kudondodhur, aq e vërtetë është kjo sa po të shikoni kur komentojnë, janë jashtë Shqipërisë reale, ose për spitale, janë të njerëzve që nuk kanë shkuar pej kohësh në spitale shyqyr Zotit, por kanë kujtime të hershme nga ato spitale”,-tha Rama.
Rama konkretizoi me shifra para të rinjve përfitimet ekonomike që Shqipëria ka nëse arrin të anëtarësohet në Bashkimin Europian, por theksoi se puna për mbylljen e negociatave brenda 2027 duhet të vazhdojë me ritëm të lartë, pasi “dera e hapur” nga Unioni, mund të mbyllet dhe mundësia të largohet me vite.
“Por edhe të tjerat janë të rëndësishme, nga arsimi, ekonomia, programet për rininë, punësimin etj., e nëse janë të rëndësishme, nëse janë Europiane, përqafojini ato, sepse me BE-në marrim mbështetjen financiare dhe na duhet ajo mbështetje financiare për këto programe që u folën. Ju jeni përfituesit, nuk jeni kontribuuesit në atë familje, ajo familje europiane kontribuon financiarisht për ne, vendet e fuqishme të asaj familje kanë një arkë të vetën, ajo familje ka arkën e vetë, ku edhe na ndihmojnë ne. Kontribuesit fusin më shumë, përfituesit tërheqin më shumë. E përkthyer në terma financiar, e kjo është shifra e fundit që them, deri tani nga BE si mbështetje në total kemi marrë 1 mld euro, por me futjen në atë shtëpi të BE, do të marrim 1 mld euro ndihmë çdo vit”,-tha Rama.