Një skandal ka përfshirë Maqedoninë e Veriut. Sot në mëngjes është arrestuar pjesëtari i sigurimit të kryeministrit, Hristijan Mickoski. Angel Samarakov, ish-punonjës i Ministrisë së Punëve të Brenshme është kapur duke dhënë informacione konfidenciale disa personave në lagjen e Shkupit, “Grcec”. Lagje, e cila njihet për praninë e grupeve të krimit të organizuar. Informacioni u konfirmua nga Ministria e Brendshme pasi disa media vendase filluan që të spekulonin.
Samarakov është kapur në flagrancë duke u dhënë informacione konfidenciale disa personave që ende nuk janë identifikuar. Po ashtu, nuk dihet se çfarë informacioni u ka dhënë dhe nëse ka lidhje me kreun e qeverisë, raportohet në media.
Por, kjo nuk është hera e parë që një pjesëtar i sigurimit të Mickoskit përfshihet në një incident të rëndë. Vetëm pak muaj më parë, shefi i sigurimit të tij, Ivica B., ka sulmuar fizikisht një koleg polic, i cili ishte në detyrë në orët e para të mëngjesit. E gjitha ndodhi kur Policia u fut për kontroll në një lokal të njohur të Shkupit, që dyshohet se ishte bazë për trafikun e drogës.