Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, u zhvillua një takim pune mes drejtuesjes së prokurorisë, drejtorit të DVP-së Korçë dhe përfaqësues të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ky takim, u organizua në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtuesit të SPAK “Mbi komunikimin e ndërsjelltë efikas dhe bashkëpunimin reciprok lidhur me hetimet mbi vepra penale gjatë periudhës zgjedhore të zgjedhjeve të Kuvendit të Shqipërisë 2025”.

Palët diskutuan rëndësinë e reagimit të shpejtë, koordinimit efektiv dhe ndarjes së informacionit ndërmjet institucioneve, me qëllim identifikimin dhe ndjekjen penale të çdo veprimi që cenon integritetin e votës së lirë të qytetarëve.

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit, prokurorëve dhe hetuesve të Prokurorisë së Posaçme do t’u vihen në dispozicion ambiente në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë.

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jenë të pranishëm në terren dhe të gatshëm për të marrë çdo kallëzim apo informacion nga qytetarët në lidhje me veprimtari të dyshuara penale që lidhen me zgjedhjet.

Prania e tyre është një garanci shtesë për transparencën dhe seriozitetin me të cilin institucionet po e trajtojnë këtë proces, ndaj Prokuroria inkurajon çdo qytetar që të bashkëpunojë dhe të raportojë çdo përpjekje që synon të cenojë votën e lirë.