Mbrëmjen e sotme është shpallur studioja fituese për zhvillimin e zonës së ish-Cirkut në qendër të Tiranës. Sipas jurisë, studioja L’AUC kishte projektin më të përshtatshëm për të zhvilluar strategjinë urbane sipas masterplanit të Tiranës.

Juria e vlerësoi studion franceze me votim unanim, sipas prezantuesit të vendimit të jurisë.

“Vendimi unanim i jurisë ishte L’AUC si fituese, mund edhe të duartrokisni tani. Edhe siç e thashë më parë, përpara se të vini si fituesit e këtij projekti, më lejoni të përmend disa nga gjërat që kemi diskutuar në juri. Janë disa gjëra që ju do duhet t’i përpunoni ose t’i merrni në konsideratë. Një gjë ka të bëjë me pozicionin e teatrit, ne e kuptojmë tërësisht. Ato gjëra që janë bërë nga ana tjetër janë bërë për të tërhequr njerëzit që të vijnë në këtë zonë. Megjithatë, ne mendojmë që, pavarësisht strategjisë tuaj, ju do të gjeni mënyrën e duhur për ta ndryshuar këtë situatë.”-tha prezantuesi i vendimit.

Prezantuesi i vendimit dha disa detaje vlerësimi lidhur me projektin francez. Sipas tij, është ndërthurja e historisë së vendit me modernitetin.

Do të zhvillohen, sipas tij, disa ndërtesa që tregojnë Shqipërinë tradicionale dhe Shqipërinë e së ardhmes.

Nga ana tjetër, sipas jurisë, detaji më i veçantë i projektit ishte pjesa “Piano Nobile”, e cila do të jetë një hapësirë që do të zhvillojë edhe më tepër turizmin në kryeqytet.

“Hartoi një skemë që quhet “Terreni i përbashkët, Tirana”, e cila kishte një lloj skulpturimi të nënthënë dhe, natyrisht, edhe një ndjesi poetike. U vërejt që ndjesia dhe pamja moderne e Tiranës është e përfshirë në skenë dhe në ndjesi të ndryshme, në materiale të ndryshme dhe, në fakt, edhe në shkallë të ndryshme. Në fakt, në pamje të ndryshme dhe po kështu në shkallë të ndryshme. Në fakt, ishte një koncept shumë elastik dhe, siç u tha edhe nga arkitektët, nuk është një masterplan, por një vizion. Na pëlqeu kati horizontal, “Piano Nobile”, që shërben si ndarje mes pjesës së sipërme dhe të poshtme.”-tha midis të tjerash prezantuesi i vendimit lidhur me detajet e projektit.