Apeli i Posaçëm ka lënë në qeli Zambak Gjonin dhe Arnold Rrokaj, dy të arrestuarit për sulmin kibernetik ndaj SPAK. Ish-punonjësi i IMT Arnold Rrokaj dhe ish-zyrtari i burgut Vlorë Zambak Gjonaj akuzohen për hackerimin e emaileve të disa prokurorëve dhe shpërndarjen e informacionit te persona të tjerë.

Sulmi kibernetik ndodhi më 12 Mars, por SPAK reagoi përmes një deklarate zyrtare ditë më vonë, duke thënë se hackerat kanë arritur që të marrin të dhëna nga adresat e emaileve të disa prokurorëve, por se nuk kanë arritur që të depërtojnë në sistemin e brendshëm të sigurisë apo të rrjedhin dosje hetimore.

SPAK sqaroI se arrestimi i tyre u bë brenda 24 orësh nga ndërhyrja për hakerimin e emaileve të prokurorëve, dhe se sekuestruan pajisjet e përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar.
Të dy këta persona i kanë shpërndarë dokumentet që kanë arritur të marrin në persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë dy gazetarë, ish-kreu i burgjeve, Agim Ismaili dhe Dritan Palnikaj, aktualisht sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë.

Njoftimi nga gjykata:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, sot më 22.04.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 28 akti, datë 14.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personave nën hetim Z.Gj., dhe A.Rr., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 32, datë 14.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

1. Miratimin e Vendimit/Urdhrit nr. 32, datë 14.03.2025 të Gjykatësit që shqyrton kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.