Transfertat në SEPA pritet të fillojnë nga tetori, Bankat shqiptare aplikojnë zyrtarisht
Janë dorëzuar zyrtarisht paketat e aplikimeve për anëtarësimin e bankave shqiptare në skemën e transfertave të kreditit SEPA, të cilat eliminojnë tarifat shtesë për çdo transfertë bankare brenda këtij sistemi.
Aplikimi është bërë nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, të cilat e kanë dërguar kërkesën pranë Këshillit Evropian të Pagesave (ECP).
Sipas njoftimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të 11 bankat e sistemit bankar shqiptar përgatitën individualisht aplikimet përkatëse brenda një kohe relativisht të shkurtër, me qëllim që transaksionet e para ndërkufitare SEPA të realizohen në fillim të muajit tetor 2025.
Kjo cilësohet edhe si një kohë më e hershme, e vendosur nga vetë EPC-ja, kur ofruesit e shërbimeve në Shqipëri mund të nisin kryerjen e këtyre transaksioneve ndërkufitare në Euro përmes SEPA-s.
Faktin se bankat do të jenë gati brenda tetorit e ka bërë më parë me dije edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë një forumi biznesi me Dhomën Amerikane, ka bërë me dije se përgjatë vitit të parë të anëtarësimit aktorët ekonomikë në vend do të kursejnë rreth 20 milionë euro si rezultat i uljes së komisioneve.
Komisionet për kryerjen e transaksioneve SEPA pritet të jenë ndjeshëm më të ulëta sesa ato aktuale. Vlerësojmë se vetëm nga ulja e komisioneve, kryerja e transaksioneve nëpërmjet skemave SEPA do t’u kursejë agjentëve ekonomikë rreth 20 milionë euro në vitin e parë”.
Anëtarësimi në SEPA, çfarë përfiton Shqipëria
Ideja e SEPA-s është e thjeshtë.
Pagesat në euro mundësohen pa kosto financiare, nëpërmjet transferimit të kredisë dhe debitimit direkt.
Jo vetëm në Bashkimin Evropian por edhe në një numër vendesh jashtë Unionit – në një mënyrë të shpejtë, të sigurt dhe efikase.
Qëllimi është që ekonomia evropiane të bëhet më efikase dhe konkurruese duke eliminuar dallimet midis pagesave kombëtare dhe ndërkufitare.
Këto, përmes harmonizimit të standardeve në të gjithë vendet.
Shqipëria do të ketë disa përfitime të rëndësishme nga ky anëtarësim.
Si një vend i cili ka një ndërveprim shumë të lartë ekonomik me vendet e BE-së përmes shkëmbimeve tregtare, të ardhurat nga puna (remitancat) dhe turizmi.
Me kryerjen e transfertave nëpërmjet SEPA-s, kostoja e pagesave ndërkufitare në euro me vendet anëtare të skemës vlerësohet se do të jetë minimalisht pesë herë më e ulët.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se sipas vlerësimeve paraprake, kursimi për ekonominë shqiptare mund të jetë të paktën 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim.
“Njëkohësisht, ulet koha e kryerjes së pagesave dhe rritet konkurrenca nëpërmjet prezantimit të produkteve dhe shërbimeve moderne dhe të sigurta”.
Zhdukja e një pengese të madhe për aktivitetin ekonomik
Hapja e sistemit për jo-anëtarët e BE-së u mundëson vendeve të Ballkanit Perëndimor të ulin ndjeshëm koston e transaksioneve si brenda rajonit ashtu edhe me Unionin.
Tarifat e larta të pagesave mbeten një pengesë për ekonominë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi nga ana e tij se tarifat e transaksioneve në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë aktualisht gjashtë herë më të larta krahasuar me vendet e BE-së.
Anita Angelovska Bezhoska, guvernatorja e bankës qendrore të RMV-së, tha se anëtarësimi në SEPA është ndër prioritetet e bankës qendrore sepse do të përfitojnë familjet, kompanitë dhe do të nxisë rritjen ekonomike.
Maqedonia e Veriut ka ndryshuar 26 rregullore për t’i përafruar ato me rregullat e BE-së.
Një tjetër avantazh i anëtarësimit në SEPA është fakti që BE-ja mund të përdorë lidhjet e pagesave ndërkufitare për të vlerësuar gatishmërinë e kandidatëve për t’u bashkuar me bllokun.