Nga Mero Baze/
Në fillim tentuan të përkthejnë sloganin e Trump-it, në përpjekje për t’u dukur trampistë. Por meqë kuptimi i drejtpërdrejtë i fjalës “e madhe” në Shqipëri krijon keqkuptime historike, e modifikuan atë në “madhështore”, duke e bërë jo vetëm sloganin qesharak, por edhe premtimet në emër të sloganit qesharak.
Tani mendo si e kanë zbërthyer fjalën “madhështore” në çdo premtim që bëjnë rrugëve, duke u premtuar njerëzve se çdo gjë do të jetë madhështore pas 11 majit.
Me stilin e Trump-it dhe demencën e Biden-it, Berisha po kthehet në personazh gazmor duke premtuar se çdo gjë pas 11 majit do të jetë madhështore. Takon një pensionist të moshës së tij dhe i thotë: “Do ta kesh pensionin madhështor”, takon një biznes të vogël dhe i thotë: “Heqja e taksës do jetë madhështore”, ndërkohë që ai s’ka taksë. Takon një shitës rruge dhe i thotë: “Do ta kesh tavanin e taksës madhështor”, dhe ai ngre syte nga tavani, takon një biznesmen dhe i thotë: “Do bëjmë një ulje madhështore të taksimit të dividendit”, duke ia ngritur mbi atë që e ka – e kështu me radhë.
Pasi videot e tij po bëhen virale duke i bërë qesharake gjithë premtimet, më në fund vendosi të vërë kapelë si të Trump-it, për t’u dukur më serioz.
Në Shqipëri burrat e moshuar mbajnë kapelë, por Berisha deri në moshën 81-vjeçare nuk ka mbajtur kurrë. Tani, nëse do ta vinte si gjithë moshatarët e tij pleq, do ishte normale të mbante një kapelë tradicionale të zonës së tij, ose një si ajo që mban dhëndri i tij per t’u dukur “milioner”. Por kjo kapelja sportive e fushatës e bën qesharak ende pa hapur gojën, duke ia shtuar notat groteske tra(m)pizmit të tij.
Por nuk ka mjaftuar vetëm imitimi i Trump-it, por edhe llotaria e Elon Musk-ut për të mbështetur Trump-in. Nëse ai premtoi një llotari që i jepte një milion dollarë çdo ditë për ata që zgjeronin mbështetjen për Trump-in, Adriana Kalaja ka shpallur një konkurs që do t’u japë 1 mijë euro, 500 euro dhe 200 euro tre vetëve që do ta ndihmojnë atë në fushatë. Edhe pse kjo nuk është një milionere e deklaruar, ajo premton të blejë vota meqë këtë gjë e ka bërë edhe Elon Musk. Kjo e ben dhe SPAK qesharak në këtë rast.
Tani, nëse gjithë këto detaje të fushatës qesharake në Shqipëri do t’ia mblidhje në një video Donald Trump-it dhe t’ia përktheje, ai me siguri do të lëshonte ndonjë urdhër ekzekutiv kundër LaCivitës, që në vend të “misionit” për të mbjellë farën e trumpizmit në Evropë, ka mbjellë farën e trapizmit në Shqipëri. Por para se të ndodhë kjo, dikush duhet t’ia përkthejë një herë LaCivitës, dhe ta falënderojë që ka sjellë kaq shumë humor në këtë fushatë.