Vangjel Tavo, Kryebashkiaku i Himarës, jep një shembull drejtimi të paprecedentë në tri dekadat e fundit në vendin tonë. Ai pret me dhjetra e dhjetra banorë të thjeshtë në zyrën e tij duke i dëgjuar shqetësimet dhe duke diskutuar mbi zgjidhjet që mund të ofrojë Bashkia që ai drejton.
Çdo orë të ditës, çdo ditë të javës, dera e zyrës së tij është gjithmonë e hapur për banorët e thjeshtë. Ky është rast unik por edhe frymëzues. Të presësh me dhjetra e dhjetra banorë në ditë është akt dhe shembull për t’u admiruar prej çdo drejtuesi e qytetari.

Gjatë kandidimit në zgjedhjet e 4 gushtit për Bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo premtoi se dera e Bashkisë dhe dera e zyrës së tij do ishte gjithmonë e hapur, por rrallëkush e besonte që ky nuk ishte thjesht një premtim elektoral. Që me ardhjen në detyrë zyra e Vangjel Tavos është gjithmonë plotë e përplotë me banorë të thjeshtë. Ky shembull nuk ka ndodhur kurrë më parë as në Himarë e as gjetkë.
I pyetur në lidhje me këtë mënyrë kaq popullore drejtimi, Vangjel Tavo u shprej se:
“Banorët e Himarës kanë nevoja të shumta. Nevoja që unë i dija paraprakisht qysh në krye të herës, i njoha më shumë gjatë periudhës kur shërbeva si Prefekt i Qarkut të Vlorës, e tashmë i di në detaj në funksionin e Kryetarit të Bashkisë. Kjo është edhe arsyeja përse gjatë fushatës unë i përmenda të gjitha, shpalosa një program duke i listuar ato dhe zgjidhjet e tyre, e që nga dita e parë në detyrë dera e Bashkisë së Himarës ka qenë e hapur për çdo banor. Jo vetëm dera e bashkisë por edhe dera e ime, e kryetarit të bashkisë, është e hapur çdo orë e ditë të javës. Çdo ditë pres në zyrën time me dhjetra e dhjetra banorë. Kam dëgjuar të thuhet në Himarë që kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në atë institucion por ky fakt nuk më mburr, përkundrazi më nxit edhe më shumë të vazhdoj e të komunikoj drejtpërdrejtë me njerëzit e thjeshtë, pa dallime sociale, pa ngjyra politike, pa ndasi e pa ideologji. Të gjithë pa përjashtim. Një derë e hapur, gjithmonë e hapur, për njerëzit është pritshmëria parësore e çdo banori ndaj edhe unë me shumë dëshirë i pres, i dëgjoj, dhe bëj të pamundurën për t’u angazhuar në zgjidhjen e problemeve të tyre.”
Ky shembull konkret dhe i dëshmuar nga Kryebashkiaku Vangjel Tavo është për t’u admiruar dhe për t’u zbatuar gjerësisht në çdo institucion. Drejtim me zemër për njerëzit e thjeshtë.