Partia Socialiste i ka drejtuar një letër-ankesë Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve ku sipas këtij subjekti politik evidentohen një sërë problemesh të hasura gjatë procesit të votimit nga diaspora. Për këto, Partia Socialiste ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme.

Sipas socialistëve, këto shqetësime janë përcjellë nga qytetarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë ndërsa kërkojnë që KQZ të ndërhyjë pranë DHL-së për të zgjidhur këto çështje sa më shpejt, duke siguruar që procesi i votimit nga jashtë të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe efektive.

Ata shtojnë se shqetësimet përfshijnë:

Mosrespektimi i protokolleve të njoftimit nga DHL përmes emailit dhe SMS-ve, sidomos në Greqi dhe Itali.

Vështirësi në komunikim me DHL, ku kontaktet nuk përgjigjen ose shfaqen si “call failed”.

Refuzim i marrjes së zarfeve të kthimit nga DHL, sidomos në Greqi, dhe raste kur qytetarëve u kërkohet ta dorëzojnë fizikisht në pikën postare.

Kërkesa për pagesë për kthimin e zarfeve nga ana e DHL.

Fletë votimi mungojnë në zarf, me raste konkrete në SHBA, Itali, Angli dhe Greqi.

Shpërndarje e pabarabartë e zarfeve brenda të njëjtës familje.

Mesazhe për adresë të pasaktë, pavarësisht konfirmimit të saj nga zgjedhësit.

Dërgesa pa paralajmërim nga korrierët, që rezulton në kthimin e zarfeve pa dijeni të votuesve.

Mosnjohje e bar kodeve nga DHL në disa raste, sidomos në Brescia, Itali.