Blerje votash dhe shantazh zgjedhësve duke përdorur lidhjet me krimin. Me këto akuza të rënda është depozituar kallëzimi penal në Prokurorinë e Posaçme SPAK ndaj kandidatët të Sali Berishës në Qarkun e Durrësit, ish prokurorit të lidhur me krimin Arjan Ndoja.
Padia është depozituar nga Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës këtë të mërkurë, të cilët kërkojnë hetim nga SPAK për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe kanosje apo dhunim i pjesëmarrësit në zgjedhje.
Në padi Koalicioni Euroatlantik citon të dhëna të të mbledhura nga kandidatët e tij dhe banorë të zonës, sipas të cilëve Ndoja dyshohet se ka ushtruar presion të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve për të mos votuar subjekte të tjera politike, si dhe ka pohuar publikisht lidhje me individë të botës së krimit, me qëllim intimidimin e zgjedhësve dhe ndikimin në votë.
“Zgjedhjet e 11 majit duhet të zhvillohen në mënyrë të lirë, të ndershme dhe larg ndikimit të grupeve të strukturuara kriminale apo formave të blerjes së votës,” – thuhet në kallëzimin zyrtar.
Koalicioni Euroatlantik i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme që të regjistrojë menjëherë kallëzimin penal, të kryejë hetimet e nevojshme dhe të mbrojë integritetin e procesit zgjedhor përmes veprimit të shpejtë dhe të vendosur.
Kush është Arjan Ndoja?
Arian Ndoja iu bashkua procesit të primareve të Sali Berishës dhe ish-kryeministri e katapultoi në listat e hapura të qarkut të Durrësit për zgjedhjet e 11 majit. Ish-prokurori ishte objektiv edhe i një atentati në nëntor 2019 në rrethrrotullimin e Shkozetit. Ndoja u shkarkua më 6 maj të vitit 2022 nga Komisioni i Vettingut i shkallës së parë për lidhje të shumëfishta me krimin por edhe për pasuri të pajustifikuar. Sipas vendimit, prokurori Ndoja kishte kontrate me të paktën 9 persona të dyshuar dhe të përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Në vendim pasqyrohet lidhja e prokurorit Ndoja me Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe edhe si Landi Muharremi, ‘i forti i Sukthit’, por edhe si ‘Rrumi’. Ndoja ishte me Lahon në atentatin tek rrethrrotullimi i Shkozeti, ku vetë i plagosur Ndoja dhe Aleksandër Laho, ndërsa humbi jetën shoferi Andi Maloku.