Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe drejtuesja politike e Qarkut të Tiranës, njëkohësisht ministrja Ogerta Manastirliu, zhvilluan sot në mbrëmje (5 prill) një takim me shtabin elektoral të Njësisë Nr.14 në Tiranë.

Ai u njoh me punën e deritanishme të strukturave në takimet në terren me qytetarët dhe mbështetësit.

“Dhe nata vazhdon celulë m’celulë… Uji fle, armiku fle, PS-ja s’fle!”, shprehet kreu i qeverisë.

Kryeministri tha se zona kishte nevojë për shumë ndërhyrje dhe investime, teksa dha edhe lajmin se do të hiqen taksat për ndërtuesit e parkimeve.

“Kjo zonë ka nevojë shumë për ndërhyrje. Janë bërë shumë ndërtime dhe ka nevojë për ndërhyrje insfrastrukturore. Edhe për shërbime publike. Kjo e takimeve vlen, një program i kombinuar edhe nëpërmjet bashkisë. Duhet lehtësuar kjo çështja e trafikut të makinave se është vërtetë e rënduar. Në pjesë të caktuara të Tiranës ka probleme edhe me parkimin dysh. Do heqim fare taksën e ndërtimit të parkimit. Sepse taksimi është bërë njëlloj për ndërtimin e parkimit, apartamentit, dyqanit. Nëse e heqim taksën e parkimit, e do ta bëjmë, do ketë koston e vetë, por s’do ketë ekstra dhe kështu do bëjë më shumë parkime. Do ta zgjidhim edhe këtë”

Kreu i mazhorancës nuk harroi të ironizonte “kënetën”, pak pasi ministrja Manastirliu tha se ‘po punohet që të thahet fare këneta’. Madje kujtoi edhe Lulzim bashën, duke e ngacmuar në distancë me mesazhe.

“Ore, po ky Luli ka ndonjë deputet këtu? Duhet të ketë ndonjë, apo ka nga ata që nuk njihen! Po vota a ka? Më bën shumë përshtypje, po e ka shumë frikë bufin. E ka frikë, jo jep e merr, doktori thotë, bufi etj., ma lë mua, për referencë, se ka frikë nga bufi!”

Teksa bën edhe një lidhje online me një tjetër zyrë shtabi nga distanca, Rama i pyet se si duket gjendja e kënetës aty.

Deputeti Plarent Ndreca, si përfaqësues i njësisë dhe shtabit, informoi kryeministrin për ndarjen e detyrave dhe dëgjimin e banorëve për shqetësimet, teksa theksoi se janë ngritur 22 seksione që punojnë në zyra dhe në terren.

“Investime ka dhe është rikualifikuar pothuajse e gjithë zona, janë ndërtuar edhe rrugët dhe vijohet”, tha Ndreca në fjalën e tij.

Në fund të takimit, duke bërë batuta të tjera me të pranishmit, kryeministri doli edhe në fotografi me anëtarët e shtabit elektoral socialist të njësisë.