Nga Gjirokastra, ku vijoi me turin e radhës elektoral, kryesocialsiti nuk la pa komentuar kontratën 6 mln dollarë të lobimit në SHBA. Rama ironizoi Sali Berishën duke thënë se tani nga 7×7=42 janë bërë 7×7 =6 mln dollarë. Sa i takon fonacionit MAGA për të cilën PD thotë se u themelua nga patriotë shqiptarë që kanë dalë edhe garant për kontratën e lobimit, Rama me ironi thotë se befasisht “3 patriotë nga e njëjta familje u lindi në zemër të nxjerrin 6 mln që të mbrojnë Shqipërinë nga unë dhe nga ju dhe të tregojnë në Amerikë se sa e bukur është këneta”.

“Aritmetika ka hyrë në një histori të panjohur, 7×7=42 habiteshim dhe qeshnim, po s’kishim parë asgjë, se u bë 7×7 =6 mln, me këtë kontratën e patriotëve, që befasisht 3 patriotë nga e njëjta familje u lindi në zemër të nxjerrin 6 mln që të mbrojnë Shqipërinë nga unë dhe nga ju dhe të tregojnë në Amerikë se sa e bukur është këneta. Është e habitshme se si pastaj, në kënete thuhet ca janë këto 6 mln, këto s’janë asgjë me çfarë ka bërë narko regjimi, çfarë ka bërë Rama me qeverinë, është fundi ky”, tha Rama.

Kryesocialisti u ndal edhe në arritjet e qeverisë , ndërsa prezantoi edhe vizionin për Shqipërinë 2030. Për qytetin e gurtë të Gjirokastrës, Rama tha qeverisja e demokratëve i kishte vënë shqelmin në fyt dhe se kur morën qeverinë në 2013 e gjetën sikur po jepte shpirt. Ndalur në shifra, Rama tha se nga 6 mijë turistë që priste Gjirokastra, vjet u vizitua nga 600 mijë turistë.