Një aksident i rëndë ka ndodhur në Gjermani, ku dyshohet se 3 shqiptarë kanë humbur jetën, ndërsa 4 të tjerë janë në spital.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë njofton se është njoftuar nga autoritetet gjermane për aksidentin e rëndë, i cili ka ndodhur në Autobahn 48 në Gjermani, pranë qytetit Koblenz të Rheinland-Pfalz.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, datë 25 Maj dhe Ministria e Jashtme bën me dije se është informuar nga autoritetet gjermane për këtë aksident të rëndë rrugor.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është informuar nga autoritetet gjermane për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 25 maj, pranë qytetit Koblenz, ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë.

Me keqardhje njoftojmë se si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe kanë ndjekur nga afër zhvillimet. Hetimet për rrethanat e aksidentit janë ende në vijim.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uron shërim të plotë për të plagosurit. Strukturat tona konsullore kanë ofruar mbështetjen e nevojshme për qytetarët e prekur dhe kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë ditës për të ndihmuar në menaxhimin e situatës’, njofton Ministria e Jashtme e Shqipërisë.