Një telefonatë anonime ka mbërritur pasditen e sotme në Hotel Plaza në Tiranë, ku një person i panjohur ka pretenduar se në parkimin e këtij hoteli është vendosur një bombë. Recepsionistja ka njoftuar menjëherë Policinë e Tiranës, e cila ka rrethuar zonën dhe ka evakuuar të gjithë stafin dhe klientët nga godina.
Forcat xheniere ndodheshin në vendin e ngjarjes dhe në të gjithë godinën e hotelit luksoz, ku u kryen kontrolle për gjetjen e bombës, por pas verifikimeve rezultoi se alarmi ishte fals. Report Tv solli pamjet nga vendi i ngjarjes, ku dallohet edhe momenti kur evakuohen qytetarët, ndërsa një prej tyre dallohet në ambientet e jashtme me rrobdeshamber.
Sipas burimeve, policia përfundoi kontrollet në ambientet e parkimit, ku fillimisht u dyshua për vendosjen e bombës. Kontrollet vijuan edhe në ambientet e kazinosë, por nuk u gjet asgjë e dyshimtë.
Hotel Plaza është një ndër më luksozët me 5 yje, i vendosur në zemër të kryeqytetit. Policia dyshon se telefonata mund të jetë bërë për të krijuar panik, ndoshta nga ndonjë lojtar që ka humbur në kazino. Alarmi ka shkaktuar panik te klientët, të cilët u evakuuan menjëherë nga godina. Të gjitha rrugët që të çojnë drejt hotelit ishin të bllokuara përkohësisht nga forcat e policisë.
Policia e Tiranës ka përfunduar kontrollin në hotelin Plaza, pas një telefonate bombë. Gjatë verifikimeve nga forcat xheniere nuk u konstatua asgjë e jashtëligjshme, duke e cilësuar alarm fals.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të paraprakes së dhënë pak më parë e cila bënte fjalë për një telefonatë se ishte vendosur një sasi eksplovizi në parkimin e një hoteli në rrugën “Abdi Toptani” ju informojnë se gjatë kontrollit nga sherbimet e Policisë në bashkëpunim me forcat xheniere nuk kanë konstastuar asgjë të jashtëligjshme.